Ideja e Serbisë për daljen në bregdetin shqiptar, shfaqet hapur në “Memorandumin mbi Shqipërinë” dërguar kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, nga ana e delegacionit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në Konferencën e Paqes, në dhjetor të vitit 1919.
Delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene është kujdesur veçmas që në asnjë vend të mos e zërë në gojë okupimin e Vilajetit të Kosovës, apo të thuhet diçka lidhur me tokat që mbetën jashtë Shqipërisë. Por këtë e bën projekti i adjutantit të mbretit të Serbisë, gjeneralit Milisavleviq, i cili jep udhëzimet për luftimin e idesë së krijimit të Shqipërisë natyrore në Kosovë dhe Maqedoni. “Është shumë e sigurt që gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë, në poste do të zgjidhen vetë shqiptarët si përfaqësues komunalë. Zgjedhjen e tyre duhet penguar në çfarëdo mënyre (për shembull me urdhëresën që kryetari dhe kmetët duhet patjetër ta njohin gjuhën serbe). Jam i mendimit se nëse këto masa që unë i kam propozuar do të realizohen atëherë do të jemi në gjendje që ta pengojmë zgjerimin e idesë për ‘Shqipërinë e Madhe’ madje edhe ta zhbëjmë këtë ide në krahinat tona”, shkruan ai
Duke mos dashur që të ekzagjerohej më tepër, delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato- Sllovene më në fund të e ka paraqitur fytyrën dhe qëllimin e vërtetë ndaj Shqipërisë së pavarur. Kështu në pjesën përfundimtare “Memorandumi mbi Shqipërinë” dërguar presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson (1856-1924), e që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, thuhet se “nëse do të ndodhte që një pjesë e Shqipërisë t’i jepej në administrim Greqisë, një pjesë tjetër Italisë, atëherë nuk do të ishte e arsyeshme që Veriu i Shqipërisë, i afërt me vetitë e popullsisë fqinje të mos i besohej administrimit jugosllav”.
“Ballkani – popujve ballkanas”
Në vazhdim të Memorandumit shkruhet:
“Përkundrazi vetëm administrimi jugosllav me Veriun e Shqipërisë, do të ishte në gjendje që të ngrite mirëqenien e kësaj krahine dhe vetëm Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene është ajo që ndershëm e dëshiron pavarësinë e Shqipërisë dhe nuk ka synime pushtuese e kolonizuese në Shqipëri, prandaj kjo mbretëri mund të jetë garanci për shtetin shqiptar dhe pavarësinë kombëtare. Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene që në kufijtë e saj i ka të tria konfesionet, ashtu siç i ka edhe Shqipëria, mundet që shumë më mirë se të tjerët t’i kuptojë nevojat materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe t’i përmbushë ato. Derisa duke shfrytëzuar pozitën e saj në Ligën e Kombeve, Italia do të synonte që mandatin e saj në Shqipëri ta ushtrojë në bazë të shembullit të Austro-Hungarisë në Bosnjë-Hercegovinë, pra që atë mandat ta shndërrojë në mandat të përhershëm, përkundrazi Jugosllavia në interesin e saj dhe atë ballkanik, do të angazhohej që Shqipëria sa më parë të arrijë te pavarësia e plotë kombëtare dhe pavarësia shtetërore si dhe përfundimisht të triumfojnë parimet ‘Ballkani – popujve ballkanas’. Kjo është e natyrshme, por edhe e kuptueshme. Populli serb nuk ka bërë luftëra për katër shekuj me radhë kundër Turqisë dhe Austro-Hungarisë që t’i shporrë ato nga Ballkani, pra me të vetmin qëllim që Italisë së sotme t’u lihej vendi i këtyre dy perandorive të shpërbëra.
Prandaj, nëse edhe pas të gjitha argumenteve që janë paraqitur këtu, në kundërshtim me dëshirat e jugosllavëve dhe shqiptarëve, hiqet dorë prej parimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe që për shkaqe strategjike Vlora i jepet Italisë, ndërsa Greqisë i jepen zonat që me territor janë dy herë më të mëdha se Shkodra me rrethinë, dhe nëse pas të gjithë kësaj Italisë i jepet mandati mbi pjesën tjetër të Shqipërisë, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene vlerëson se në radhë të parë kësaj mbretërie duhet t’i pranohen të drejtat e mbështetura jo vetëm në histori dhe në luftën katërshekullore kundër turqve, por edhe në mbi nevojat reciproke të popullit shqiptar dhe atij jugosllav, sikurse edhe në interesin e paqes së përgjithshme. Në përkrahje të këtij qëndrimi delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene mund të thirret edhe në dëshirat e popullit, që para së gjithash janë të parapara edhe në vetë paktin e Ligës së Kombeve. Populli i këtyre krahinave është shprehur, madje gjithkund ku ka mundur se nuk do të pajtohet të jetë nën mandatin e Italisë dhe nëse nuk rilindet pavarësia e plotë e Shqipërisë, atëherë populli do të kërkojë përfshirjen në përbërje të shtetit të Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene. Deklarata të tilla në kohë u janë dërguar në origjinal Konferencës së Paqes. Delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene e ka për nderë që t’ia tërheqë vërejtjen kryetarit Wilson, se është në interesin e përgjithshëm që Konferenca e Paqes, ta rishqyrtojë këtë pjesë të rëndësishme të çështje së Adriatikut, duke e tërhequr vërejtjen kësaj here, se sipas mendimit të delegacionit solucioni më i mirë do të ishte: pranimi i plotë i Shqipërisë së pavarur pa mandatin ndërkombëtar të askujt mbi të. Kjo mënyrë i mënjanon të gjitha frikët dhe mëdyshjet e regjimeve ndërkombëtare kalimtare që për fat të keq nuk mund të jenë efikase, veçmas kur në pyetje janë interesat e një fuqie të madhe të vetme. Rasti me Rijekën e bën të ditur, se edhe për vetë Ligën e Kombeve edhe për një kohë të gjatë do të jetë e vështirë t’i mbrojë popujt e vegjël, sidomos kur interesat e tyre gjenden në kundërthënie me interesat e ndonjërës prej fuqive të mëdha.
Delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, është i bindur se pikëpamja e tij i përgjigjet jo vetëm drejtësisë, por edhe interesave të përgjithshme të paqes dhe me këtë delegacioni dëshiron që t’i dëshmojë Kryetarit të SHBA-së, se ai udhëhiqet me parimet e përcaktuara të vetë Kryetarit dhe e lut atë që të besojë se Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene është larg idesë dhe çfarëdo synimi apo qëllimi që njëkohësisht nuk do t’i përgjigjeshin edhe popullit shqiptar. Mu për këtë, delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, duke i paraqitur me ndershmëri pikëpamjet e veta rreth kësaj çështjeje, e ka besimin e fuqishëm se zotëri Kryetari do t’i pranojë në mënyrë dashamirëse arsyet mbi të cilat thirret ky Memorandum”.
Plani për shpërbërjen e idesë së Shqipërisë natyrore në Kosovë dhe Maqedoni
Siç edhe vërehet nga vetë teksti i Memorandumit drejtuar kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, Delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene është kujdesur veçmas që në asnjë vend të mos e zë në gojë okupimin e Vilajetit të Kosovës, apo të thuhet diçka lidhur me tokat që mbetën jashtë Shqipërisë.
Megjithatë qëndrimi i kreut të Serbisë së atëhershme lidhur me shqiptarët jashtë Shqipërisë, është paraqitur nga ana e vetë adjutantit të mbretit të Serbisë, gjeneralit M. Milisavleviq, në një material të po asaj kohe që ruhet në Arkivin Ushtarak të Beogradit.
“E shoh të udhës se duhet potencuar veçmas që midis shqiptarëve tanë dhe atyre në Shqipëri nuk ekziston kurrfarë kufiri”, ka shkruar gjenerali Milisavleviq duke vazhduar: “Me ndërmarrjen e masave si në vijim deri diku do të arrihej që të paralizohej ideja e krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’. Prandaj si masë të domosdoshme e parashoh: krijimin e një zyre qendrore në Shkup, e cila do të merrej me zbatimin (realizmin) e politikës shqiptare. Ky është kusht thelbësor, pasi është e nevojshme se zbatimi si i politikës së brendshme, por edhe asaj të jashtme ndaj shqiptarëve duhet të koncentrohen në këtë zyre, vendimet e së cilës duhet të zbatohen në mënyrë absolute. Në këtë mënyrë do të unifikohej veprimtaria e mbi të gjitha problemet shqiptare, formimi i qëndrimit të caktuar ndaj Shqipërisë së pavarur. Deklaratat tonë të qarta mbi respektimin e shtetit të pavarur shqiptar si dhe dëshmitë materiale të afrimit të ndihmës për qeverinë e tanishme të Shqipërisë, do të pranoheshin me entuziazëm nga ana e shqiptarëve tanë, prandaj ata do të mund të pajtoheshin me humbjen e krahinës së Malësisë, Hasit, Lumës dhe Dibrës dhe deri diku do të arrihej që të nxitej dashuria për shtetin tonë. Politika më e natyrshme do të ishte që Shqipëria si shtet, të kërkojë mbështetje te ne dhe duhet punuar në këtë drejtim, pasi në radhë të parë duhet të fitohet përkrahja e krerëve shqiptarë dhe e vetë shqiptarëve që nuk kanë simpati për shtetin e Italisë. Krerët shqiptarë duhet përfituar për arritjen e qëllimeve tona politike. Duhet të jemi të bindur thellë që kreu i fisit te shqiptarët e ka më të fuqishëm pushtetin e tij mbi fisin e caktuar, se sa të gjitha pushtetet tjera tonat, dhe ne do t’ia dalim që për disa vjet ta shpërbëjmë organizimin fisnor shqiptar, që është thuajse i njëjtë me zakonet fisnore mesjetare në Evropë. Është e nevojshme që të gjithë nëpunësit tanë duhet të sillen me kujdes të veçantë me krerët shqiptarë dhe kështu ata do të fitojnë besimin e tyre. Veçmas po e tërheq vërejtjen lidhur me bejlerët e Gjakovës, të cilat kanë ndikim shumë të madh në të gjitha ngjarjet që nga Shkodra e deri në Rashkë dhe këta bejlerë duhet mbajtur në mënyrë absolute në anën tonë. Duhet aprovuar ligjin e internimit të kryengritësve shqiptarë dhe familjeve të tyre dhe shqiptarët rreth kësaj çështjeje janë shumë të ndjeshëm. Të bëhet vendosja e kolonistëve malazezë (sipas nevojës edhe dhunshëm) në krahinën e Dukagjinit dhe në këtë mënyrë të fuqizohet elementi ynë. Edhe pse në fillim do të ketë grindje, plaçkitje bile edhe vrasje midis shqiptarëve dhe malazezëve, megjithatë nuk duhet çarë kokën për ngjarje të tilla. Nuk duhet bërë ndryshimi i shpeshtë i nëpunësve. Është e nevojshme që një nëpunës, veçmas kryeshefat e rretheve dhe të qarqeve, duhet të shërbejnë më së paku për dy vjet rresht në të njëjtin vend. Duhet paraparë pagesa shtesë për nëpunësit në këto krahina dhe për ta duhet siguruar edhe banesat. Në këtë mënyrë do të ndikohet që nëpunësit të shërbejnë në mënyrë më efikase. Në këto krahina duhet dërguar nëpunësit më të mirë. Është shumë e sigurt që gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë, në poste do të zgjidhen vetë shqiptarët si përfaqësues komunalë. Zgjedhjen e tyre duhet penguar në çfarëdo mënyre (për shembull me urdhëresën që kryetari dhe kmetët duhet patjetër ta njohin gjuhën serbe). Jam i mendimit se nëse këto masa që unë i kam propozuar do të realizohen atëherë do të jemi në gjendje që ta pengojmë zgjerimin e idesë për ‘Shqipërinë e Madhe’ madje edhe ta zhbëjmë këtë ide në krahinat tona. Përkundrazi, ne mund ta shuajmë çdo kryengritje shqiptare, por idenë e sipërpërmendur nuk mund ta shkatërrojmë dhe një ditë ajo do të shndërrohet në rrezik të madhe për ne”, ka përfunduar adjutanti i mbretit të Serbisë, gjenerali Milisavleviq.
kd