DOSSIER: E pathëna e masakrave bullgare ndaj shqiptarëve në Shkup: vetëm për qeleshen e bardhë!

bullgaret-shqiptaret ShkupNjë valë masakrash janë zhvilluar mbi popullsinë shqiptare  në Shkup dhe Tetovë,  në maj të vitit 1941 prej ushtrisë bullgare,  e cila kishte depërtuar në këto zona gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ishte koha ku Shqipëria ishte bashkuar me gjithë trevat e saj në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi, duke u zgjeruar në kufijtë e saj natyralë.

Qeveria e Tiranës kishte nisur prej ditëve të para programet e saj të rimëkëmbjes, sidomos në fushën e arsimit, duke synuar të forconte ndjenjën kombëtare mes shqiptarëve. Por në të njëjtën kohë edhe sllavët ishin kundërpërgjigjur, me anë të sulmeve e masakrave mbi popullsinë shqiptare sa herë kishin mundësi duke përfituar edhe prej kushteve të luftës.

Maji i 1941, siç e dëshmon edhe ky dokument që e sjellim ekskluzivisht, kishte shënuar dhjetra sulme, arrestime, përdhunime, e masakra të tjera mbi popullsinë shqiptare duke i kërcënuar e detyruar ata të mos e përdornin qeleshen e bardhë, e cila ishte simboli dallues i shqiptarëve në këto toka.

Denoncimin mbi masakrat e kishin bërë një grup burrash nga paria e shqiptarëve të Shkupit, të cilët kishin arritur të arratiseshin nga Shkupi në Tetovë e prej andej në Tiranë, dhe kishin mbërritur në dyert e Këshillit të Ministrave dhe në Ministrinë e Brendshme për të denoncuar masakrat që kishin pare, e njëkohësisht duke kërkuar që qeveria shqiptare të merrte masa që të liroheshin të arrestuarit e të ndalej ky terror.

Më poshtë e sjellim të plotë denoncimin e tyre dërguar një kopje kryeministrit të kësaj periudhe, Shefqet bej Vërlaci:

permendore Mbretnija Shqiptare26 .V.1941

Shkëlqesës

Shevqet bej Vërlaci

Kryetari i Këshillit Ministruer

Tiranë

Bashkangjitun kemi nderën T’u dërgojmë nji përmendore të paraqitun prej nji Deputacioni t’ardhun drejt për drejt nga Shkupi për mbi vuejtjet dhe persekutimet e popullsisë shqiptare të atyne vendeve.

Drejtori i përgjithshëm

Dr.N.Lo Russo Attoma

Përmendore për Drejtorinë e Përgjithshme

Asht paraqitun, ndër këto dit, në Drejtorinë e shtypit, zotni Bexhet Beg Presheva, bashkë me Skënder Leshin, Mahmut Tetovën, Jashar Shkupin dhe Ramadan Kosovën, të gjithë shqiptarë të Shkupit, prej kah janë arratisun mshehtësisht me 16 maj 1941 tue arrijtun të nesërmen  në Tetovë, prej kah kanë vazhdue udhtimin për në Tiranë, ku janë paraqitun në Kryesinë e Këshillit Ministruer dhe në Ministrinë e Mbrendshme tue kërkue, n’emën të së gjithë popullsisë shqiptare të Shkupit, të rretheve dhe të Tetovës ndërhyrjen  e auktoriteteve të nalta për të shpëtue nga masakrimi vllaznit e robnuem nën Bulgari.

Qe, shkurtas, shka thonë të naltpërmendunit:

Permendore origjinali 11)      Ushtrija bulgare asht tue shtypun, vetëm se janë shqiptarë,  popullsinat shqiptare të krahinave të pushtueme tash së fundi nga bulgarët. Kështu, në krahinën e Preshevës, ndër shumë qendra, kanë rrahun shumë vetë, kanë marun me përdhunë nga popullsija shtatë mijë kilo misër dhe njizet mijë kilo barë.

2)      Kanë hyem në Xhamina tue marun qylymat dhe të tjera sende me vlerë.

3)      Në qendër të Preshevës kanë shtruem nën tortura të randa nji pjesë të madhe të popullsisë. Kanë hyem nëpër shpina, nën pretekstin e shikimit dhe të mbikqyrjes për armë; por gjatë shikimit përkundra kanë amrrun shumë sende me vlerë që gjejshin nëpër shtëpina si petka të kushtueshme  grash, sahatna ari dhe argjandi.

4)      Ndër shumë shtëpija, nën pretekstin e zakonshëm të mbikqyrjes për armë, kanë përdhunue gratë.

5)      Me 11 Maj 1941, në Shkup, kanë burgosun avokatin shqiptar Shaip Presheva dhe Jahja Kumanovën, Ejup Verisoviqin bashkë me 50 vetë të tjerë, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë të konsideruem fajtorë për nëj faj të vetëm: pse barshin qeleshen e bardhë shqiptare, që dishmon kombësinë e tyre shqiptare. Me 12 maj 1941, asht informue mbi këtë ngjarje  Konsilata Mbretnore e Italisë në Shkup. Ndërkaq nuk dihet asgja mbi të burgosunit: nuk dihet në se janë ende gjallë ase janë masakrue.

6)      Ditën e 12 Majit 1941, asht burgosun në Shkup Mahmut dhe Haki Jonuzi, tregtar qeleshesh të bardha shqiptare, mjeshtri që ata e ushtrojnë në Shkup tash 50 vjet. Ditën e 13 Majit 1941, nji nga dy vllaznit, ma i madhi, asht gjetun i vramë jashta mureve të burgut të Shkupit.

Permendore origjinali 27)      Me 13 Maj 1941, ditë tregu në Shkup, nëpër rrugat kryesore të qytetit, nga të cilat mbërrijnë, për çdo ditë tregu, popullsinat shqiptare të rrethit të Shkupit në qytet, ushtrija bullgare kishte nxjerrun reparte me pushkë dhe mitraljoza, të ngarkuem që tu hiqshin  gjithë shqiptarëve me të mirë ose me dhunë, qeleshen e tyre të bardhë tradicionale. Por shqiptarët , që me anë të qeleshes mbrojnë edhe karakteristikën e tyre të kombësisë, kanë refuzue që t’i heqin. Atëherë, ushtrija bullgare, ka kapun dhe burgosun, vetëm në nji udhë kryesore, ma se 300 shqiptarë. Po atë ditë, në rrugën e quejtun “Tophane” janë kapun me përdhunë prej katundarëve shqiptarë ma se 300 qeleshe të bardha dhe grisun nga ushtrija bulgare përpara tyne. Ata që refuzojshin ti dorëzojshin qeleshet, edhe ndër udhë të tjera, janë kapur dhe hedhun në burgje. Sasija e të burgosunve shqiptarë në Shkup i kapërcen të 600 vetve.

8)      Me 15 Maj 1941 janë burgosun nga parija shqiptare e Shkupit Mendu Begun dhe Shahin Begun.

9)      Masakrimet dhe shtypjet bullgare mbi popullsinë shqiptare shkojnë tue ba ditë për ditë ma të padurueshme.

10)   Drejtori i shtypit

 

(koha)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>