Kongresisti amerikan Eliot Engel deklaroi për INA se është i pakënaqur nga mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
“Jam i pakënaqur me mosrespektimin e Qeverisë së Maqedonisë së Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë, ngaqë mendoj se Maqedonia, është një vend i rëndësishëm, dhe aleat i Shteteve të Bashkuara. Ne kemi mbështetur këtë vend që të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Por dua që të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke përfshirë edhe shqiptarë, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të jenë të barabartë”, deklaroi për INA, kongresisti Engel, pas një takimi që zhvilloi në Uashington me kryetarin e Lëvizjes për Reforma të PDSH-së, Ziadin Sela.
Ai ka theksuar se ka qenë i shqetësuar për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë dhe për ngecjen në planin e dialogut politik. I pyetur për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, Engel ka theksuar se ata duhet të kenë të drejta të barabarta.
“Së fundi jam edhe i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh me komunitetin shqiptar në Maqedoni. Unë dëshirojë t’ju sigurojë me këtë rast që shqiptarët në Maqedoni, duhet të trajtohen njësojë si të gjithë qytetarët, të jenë me të drejta të plota dhe të pa nëpërkëmbura”, deklaroi Engel, duke premtuar se gjatë disa javëve të ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni.
“Pas disa javëve do të jem në Maqedoni, duke shpresuar se mund të takohemi dhe të flasim për disa probleme, edhe me liderët e tjerë shqiptarë”, deklaroi kongresisti demokrat, që është edhe anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan. (B.Sina/INA)