Kontrollet në terren në rajonin e Strugës dhe Ohrit filluan me akuza nga LSDM-ja dhe Lëvizja për reforma në PDSH. Sipas Socialdemokratëve, ekipet në terren nuk kanë qenë të plota, mbikëqyrësve të tyre nuk u është siguruar transport, ndërsa shumica e ekipeve, sipas tyre, kanë dalë në terren me vonesë prej disa orëve. Në ndërkohë, kryetari i Strugës, Zijadin Sela, thotë se është gabim i madh që partitë që janë jashtë parlamentit nuk kanë përfaqësues të tyre në punën e KSHZ-së.
Sela vlerëson se dallimin në vota e ka shfrytëzuar VMRO-ja, ndërsa kishte vërejtje edhe për shtetësinë e maqedonasve të Pustecit. Sipas tij, duhet të gjendet mënyrë që shtetësi të marrin edhe mijëra shqiptarët që jetojnë në Kumanovë, Shkup dhe vende tjera, që tani nuk kanë të drejtë vote. Në Ohër do të kontrollohen rreth 1800 adresa.
“Ishin vërtetuar disa denoncime dhe deklarata që i dhanë qytetarët se në një rrugë, gjegjësisht në një shtëpi ka më shumë persona”, tha Marga Dimkoska, KSHZ- Ohër.
Sipas burimeve të Alsat M, në Ohër veç më është vërtetuar një numër i caktuar i votuesve të kontestuar. Kontrolli në terren do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Miki Trajkovski