Prokuroria Publike Speciale kërkoi nga MPB-ja që të caktojë sigurim personal për të gjithë prokurorët publikë në këtë institucion. Shkas për këtë është fjalimi i djeshëm i kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili e vendosi prokuroren Katica Janeva në të njëjtin grup me “kriminelët, falsifikuesit, mashtruesit.”
“Sa i përket fjalimit publik të kryetarit të VMRO DPMNE-së, duam të theksojmë se si Prokurori publike jemi seriozisht të shqetësuar andaj prokuroria vendosi ti rrisë masat e sigurisë. Nga Ministria e Brendshme kemi kërkuar sigurim personal për prokurorët publik “, deklaruan nga Prokuroria Publike Speciale.
Në këtë atmosferë, Katica Janevën nesër e pret seanca e Këshillit të prokurorëve publik, ku do të “shqyrtohet” mënyra e pranimit të materialeve të përgjuara nga LSDM-ja.
Nga Prokuroria Speciale mbeten në qëndrimin se kanë vepruar në përputhje me Ligjet për procedura penale në këtë rast. Por po ashtu thonë se i njëjti Këshill nuk ka reaguar ndaj problemeve që i kishte prokuroria speciale
“Ne besojmë se Këshilli duhet të tregojë interes dhe të shfaqë qëndrimin e tij edhe për shumë çështje të hapura që ishin aktuale në këtë periudhë, si ato për ndryshimet e Ligjit për pagat e prokurorëve publikë, ndryshimet në Ligjin e shërbimeve të prokurorisë publike, vonesa e miratimit të Planit financiar pa të cilin është më shumë se e qartë se puna e kësaj Prokurorie publike është vështirësuar dhe ngjashëm”, thanë nga Prokuroria Publike Speciale.
Nga zyra e Janevës janë të bindur se qëllimi i mbledhjes, nuk është që të bëhet presion ndaj punës së tyre, por që e njëjta të kontribuojë në eliminimin e disa spekulimeve të cilat sipas kësaj prokurorie janë imponuar në publik.
Alsat-M