Forcat e Maqedonisë përdorin gaz lotsjellës kundër migrantëve

emigrantet mkForcat speciale të Maqedonisë kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë mijëra migrantë dhe refugjatë, të cilët kanë bërë përpjekje të hyjnë në Maqedoni nga Greqia, përkatësisht nga pika kufitare Gjevgjeli, raporton agjencia Reuters.

Disa mijëra njerëz nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, shumica prej tyre refugjatë sirianë, kanë kaluar natën në zonën kufitare, pasi Maqedonia ka shpallur të enjten gjendje të krizës dhe ka mbyllur kufirin e saj jugor për migrantët dhe refugjatët.

“Forcat speciale të policisë, prapa telave me gjemba, kanë hedhur gaz lotsjellës kundër turmës së zemëruar, që ka kërkuar të kalojë në Maqedoni”,ka thënë korrespondenti i agjencisë Reuters, që ndodhet në vendin e ngjarjes.

Sipas të dhënave të Policisë së Maqedonisë, deri tani, në këtë vend kanë hyrë mbi 40 mijë migrantë, por ky numër vlerësohet të jetë shumë më i lartë për shkak të hyrjeve të shumta ilegale.

Maqedonia, e cila nuk është në Bashkimin Evropian, është vend i madh tranziti për migrantët që hyjnë në BE në Greqi dhe bëjnë përpjekje të udhëtojnë drejt veriut, përkatësisht vendeve më të begata evropiane.

Sipas ligjit, deklarimi i gjendjes së krizës lejon “angazhimin e duhur të ushtrisë”.

Rrjedhimisht, Qeveria në Shkup ka thënë se ky hap “do të rrisë sigurinë e popullsisë lokale” dhe do të përmirësojë trajtimin e migrantëve.

Në Serbi, kryeministri Aleksandar Vuçiq ka thënë se autoritetet do të hapin një qendër të përkohshme strehimi në Beograd, për të strehuar migrantët dhe refugjatët që aktualisht ndodhen në një kamp jashtë stacionit kryesor të autobusëve dhe që presin të kalojnë në Hungari.

Hungaria është duke ndërtuar një mur për të mbajtur migrantët jashtë – hap ky që ka zemëruar Beogradin dhe disa qeveri evropiane. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>