Nuk ka shkencë pa evidencë. Teoria mbetet teori, nëse nuk përkrahet nga dëshmia në botën reale. Përfshirë politikën.
Për disa ditë dhe javë, Shqiptarët kishin rastin të kuptojnë se si do duket etapa post-BDI në duart e opozitës së “bashkuar”. Ballafaqim mes realitetit të përhimtë integriste dhe ndryshimit opidoik opozitar. Shqiptarët për 20 vite kishin rastin të kuptojnë, përjetojnë, shijojnë dhe vjellin shijen e integrizmit koruptiv e kriminel. Por, për disa ditë dhe javë, kishin rastin edhe të shikojnë me një sy pas perderve të parajsës së premtuar opozitare. Dhe sa më shumë shikonin – me një sy drejt sokakut integrist, me një sy drejt bulevardit opozitar – aq më shumë ndjenin sensin e deja vue, të diçkajes që ua përkujton skena te ngjajshme nga e kaluara e vet dhe e sotme e të tjerëve. Pasi që mbledhnin sytë dhe mendjen. Shqiptarët në mendime konkludonin dhe definonin konfliktin mes nacionalizmit shqiptar (të kidnapuar) dhe islamizmit opozitar (të teledirigjuar).
Thënia se “si i dojnë të huajt Shqiptarët” kishte një demonstrim adekuat në ofertën opozitare që luftonte nën moton “edhe me dreqin e zi kundër bdi” që ishte dhe mbetet vetëm cinizmi subliminal që nënkupton “edhe me dreqin e zi kundër Shqiptarëve”. Pra, frymë urrejtjeje në stilin e qerasjeve të Shqiptarëve me epitete “pleme, të egër, të zbritur nga mali”, por me aromë më përkdhelëse të shprehjes së saj nga goja albanofone.
Fryma e “aleancës së shejtanëve” opozitar nuk begatoi argumentet anti-BDI që ca prej nesh kishin numëruar vite dhe vite më parë, deri sa shejtanët ishin në shoqëri të integristëve. Por arriti të përshkruan se si do dukej qeverisja nën drejtimin e tyre. Një bukuri e harmonisë islamiste ku erdoganistët luftojnë vahabistët, kundërshtojnë gulenistët dhe përdorin metodat guleniste kundër Shqiptarëve. Ku vahabistët tok me amerikanët, anglezët, francezët do luftojnë erdoganistët dhe nacionalistët duke lavdëruar integrimet dhe sharë dekadencën mizore perëndimore. Ku davutoglistët do luftojnë erdoganistët, taraf-taraf diku do bashkëpunojnë me vahabistët, flertojnë me perëndimorët, lavdërojnë izebegovicizmin dhe shajnë rugovizmin. Ku islami do jetë lobi i preferuar romesh për radikalizim ndërsa nacionalizmi do përceptohet si lavizirizëm Nënë Tereze, tradhëtori Skenderbege dhe gjysma e trojeve Shqiptare si çerdhe shejtanësh katolik që pengon bashkëjetesën me melaqet ortodokse. Në atë bukuri harmonish mes çmendurive islamiste, Afrimi do luan rolin e “poshten Kosovar”, Zeqirijai atë të intelektualit progresiv islamist, Zejdi të çirrakut puthador të Efendisë me thika pas shpine, Bilalli do vazhdon të aktron kompleksin e Perëndisë, Kastrioti të guardianit musliman të çelsave të kishave ortodokse e katolike në Jeruzalimin maqedonas në Ohër ndërsa të gjithë ne do pyesim veten: lere bre mjerimin tonë, shiqo se ç’ka po ndodhë në Palestinë e Jemen, Egjipt e Libi, Irak e Tunizi.
Në nacionalizëm mund të ketë fe. Në fe, nuk mund të ketë nacionalizëm. Nacionalizmi është lokalizëm. Feja është globalizëm. Në nacionalizëm ka tradhëti dhe kujtesë historike. Në fe, tradhëtia është mëkat e virtyt, varësisht nga sulltani i çastit.
Për shumë vite, islamistët në Maqedoni nuk nguronin të targetojnë dhe etiketojnë tjerët, dikë si qafir, tjerët si zionist, tretët si katolik-kosovar, katërtit si imperialist perëndimor, pestit si whatever. Interesant, për tërë këto vite, tehu i ofendimeve të të moralshmive islamist në Maqedoni binte mbi qafën e secilit, përveq mbi ortodoksët dhe Rusët. Bile, bile, interesant, edhe vajtimet e fatit të Boshnjakëve, të Srebrenicës, ngritej e zbritej varësisht se sa Erdogani takohej me Dodikun dhe Vuçinin. Ho de, nëse e teproj, me gjeni një – NJË! – prononcim islamistësh në Maqedoni kundër Dodikut në dy vitet e fundit.
Duhet përsëritur të thënën më parë. Në një kombinim skizofrenik (konformë rregullave të raporteve ndërkombëtare) secila pale ka interes në rrënimin e BDI. Përfshirë dhe Shqiptarët. Por si ç’do gjë, dallimi është te nieti. Islamistët, Turqit, Serbët, Amerikanët, Francezët, Gjermanët, Grekët, Vahabistët dëshirojnë të mposhtin BDI për të zbehur peshën e Shqiptarëve në Maqedoni gjatë lojërave gje-politike në rajon (posaçërisht për të shkëputur ndërlidhjen Kosovë – Maqedoni), për të eliminuar faktorin Shqiptar si bazë e ndikimit pro-perëndimor, për të eliminuar realitetin etnik përmes kakofonisë fetare. Interesi i Shqiptarëve për rrënim të BDI është diametralisht i kundërt: të rrënojnë integristët falë okupimit të çështjes kombëtare, kriminalitetit, pornografizimit të përfaqësimit, cinizmit të dhuntakëve etj. E megjithatë, jo me ç’do kusht. Jo me çmim të rrënimit të interesit kombëtar, jo me çmim të zëvendësimit të nacionalizmit të bajatosur me anarki libiane, irakiane, libaneze, jemenase etj.
Na duhet opozitë tjetër. Pranuam vullnetarisht sot apo detyrimisht nesër, kjo që quhet opozitë sot nuk është as Shqiptare dhe as opozitare. Është vetëm një federatë grupimesh që i bashkon vetëm se urrejtja apo zilia ndaj identitetit etnik, nacional Shqiptar, por nuk i bashkon dot as besimi në Allah dhe as vëllazëria muslimane, ky oksimoron global. Na duhet opozitë e re, një frymë që do vazhdon konstantën e politikës Shqiptare të themeluar nga PPD, të vazhduar nga PDSh, eksploatuar nga BDI – pra politike që nuk cënon postulatet kyqe të partisë përfaqësuese të Shqiptarëve: pozitë në çeshtje Shtetërore, opozitë ndaj dominancës supremaciste maqedonase. Kuazi-opozita e sotshme nuk përmban, nuk premton dhe lëre të imponon cilin do prej këto dy postulateve. Nuk e thotë dora ime, e thotë puna e tyre: ne vrap nga prehëri i Zaevit në atë të Mickoskit, ne ikje nga dajaku i Gruevskit vrap në prehër të emisares së Gruevskit. Vlera matëse e kësaj opozite është Dimitar Apasiev.
Na duhet opozitë e re. Jo me shije të coca-cola demokracisë, jo me shije salepësh turke, limonadash islamike. Por, si do thonte Podrimja, me tamël nane.
Arsim Zekolli /tetovasot