Grupet e punës as sot nuk arritën që të mblidhen për të zhvilluar bisedimet për zgjidhjen e krizës politike dhe për procesin parazgjedhor. Grupet e punës u mblodhën dje pasdite por pa ndonjë epilog konkret. Ndërsa ndërmjetësi Vanhojte shprehet pesimist pasi sipas tij, partitë mbeten të betonuara në qëndrimet e tyre dhe nuk lëshojnë pe për datën e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër ish ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere, thotë se vendi nuk është i përgatitur për zgjedhje dhe BE-ja duhet të bindë parlamentin e Maqedonisë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
“Nuk ka dyshim që vendi nuk është i përgatitur për zgjedhje në prill. Shumë nga reformat nuk janë zbatuar, të paktën jo lista e zgjedhësve që duhet të finalizohet, pastrohet në mënyrën e duhur, këtu është edhe reforma për sferën e mediave dhe atmosfera politike që mbetet përgjithësisht konfrontues. Kështu që nuk ka dyshim që zgjedhjet në prill dyfish do ta përkeqësojnë krizën dhe për këtë vlerësoj që BE duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe në periudhën prej tani deri në 24 shkurt të sigurojë ndryshim të vendimit të Parlamentit për datën zgjedhjeve, që ajo të zhvendoset për më vonë, kur të jenë zbatuar të gjithë reformat dhe kur të ketë garancë që të gjithë partitë do të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të besueshme të bazuara në terren të barabartë dhe të drejtë për lojë”, deklaroi Ervan Fuere, ish ambasador i BE-së në Maqedoni.
Nga zyrat e OSBE-së në Shkup njoftuan se Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadorja Nina Suomalainen, u takua sot me kryetarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Çiçkovskin. Suomalainen beson se KSHZ-ja është duke bërë punë të mirë në vazhdën e përgatitjeve zgjedhore dhe adresimin e sfidave. Pas zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 27 prill 2014, OSBE në raportin e tyre përgjithësisht ka lavdëruar punën e KSHZ-së kurse vërejtjet e tyre në përgjithësi kanë qenë për partinë qeveritare e cila thuhet se shpesh herë nuk e ka bërë ndarjen adekuate të aktiviteteve partiake dhe aktiviteteve shtetërore.
Fatlume Dervishi