Siç mëson INA, janë me dhjetëra funksionarë që duke shfrytëzuar benefitet e pushtetit po pajisen me tituj shkencorë.
Funksionarët e BDI-së vazhdojnë të stolisen dhe pajisen me tituj shkencor, derisa po vazhdojnë paralelisht mandatet e tyre zyrtare nëpër ministri, komuna, Parlament dhe funksione të tjera.
Siç mëson INA, janë me dhjetëra funksionarë që paralelisht duke shfrytëzuar benefitet dhe pozitën e pushtetit po kryejnë magjistratura dhe doktoratura.
Kjo konfirmohet edhe nga vetë zyrtarë të lartë të integristëve, që dëshmojnë se si funksionarë të kësaj partie po pajisen me tituj në Tetovë, Strugë, Shkup, Prishtinë, Tiranë, e deri në Paris, Uashington, Berlin, etj.
Një nga funksionarët e fundit të kësaj partie është edhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili sot mori titullin Doktor Shkence në lëminë e Shkencave Sociale. Dehari mbrojti titullin e doktoroaturës me temë “Papunësia në grupet Etnike të Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit, Rasti i Kërçovës në fushën e punës dhe politikës sociale” në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Disa muaj më parë disa deputetë dhe funksionarë të tjerë partiak u pajisën me tituj shkencor. Një pjesë e madhe e tyre tashmë kanë zënë edhe pozita në Universitetin Shtetëror të Tetovës duke u pajisur edhe me vendime pune.
Zëra brenda kësaj partie theksojnë edhe funksionarë të njohur partiak, sidomos në nivele lokale që janë pajisur me diploma shkolle, duke nisur nga arsimi i mesëm dhe që sot nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001, pra pas 14 viteve ata kanë tituj magjistrature. Flitet për emra të caktuar që po synojnë të pajisen edhe me doktoratura. (M.P/INA)