Gjykata penale e Shkupit refuzoi katër kërkesat e Katica Janevës për paraburgimin e personave për të cilët Prokuroria Speciale publikoi se ka dyshim të bazuar, për kryerje të veprave të rënda penale. Gjykatësja ka vendosur se do të mbrohen në liri gjatë hetimit të Janevës: Mile Janakievski, Edmond Temellko, një i punësuar në MPB dhe një person që ka punuar në Komisionin Zgjedhor Komunal në Qendër. Vetëm për Temellkon është caktuar një masë tjetër më e lehtë e sigurimit, që të paraqitet më shpesh në gjykatë. Gjykata nuk deshi të prononcohet për atë se përse janë refuzuar kërkesat.
“Shkaqet për këtë vendim janë theksuar në arsyetimin me të cilin afati i lejuar për ankesë është 24 orë dhe se përderisa vendimet nuk janë të plotfuqishme nuk mund të komentohen në mënyrë plotësuese”, deklaroi Paula Bozhinovska, zëdhënëse e Gjykatës Themelore Shkupi 1.
Gjykata njoftoi se për pesë të tjerët për të cilët Janeva kërkoi paraburgim do të vendoset nga e hëna. Në mesin e tyre janë ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dhe sekretari i Qeverisë Kirill Bozhinovski, për shkak se ata nuk janë paraqitur në gjykatë pasi janë jashtë Maqedonisë.
“Ndërsa për personat e tjerë janë paraqitur të autorizuarit e tyre sepse siç thanë e kanë arsyetuar mungesën me faktin se janë në udhëtim dhe kanë dorëzuar bileta aeroplani”, u shpreh Dejan Ristovski zëdhënës i Gjykatës Themelore Shkupi 1.
Vendimi i parë i Gjykatës për refuzimin e masës së paraburgimit ka hasur në kritika nga Prokuroria Publike Speciale. Në faqet zyrtare në rrjetet sociale shkruan:
“Gjykata penale në Shkup tani për tani e lëshoi shansin për të hyrë në historinë e Republikës së Maqedonisë. Vijojnë ankesat”, thuhet në njoftimin e Prokuroria Speciale.
Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim për më shumë persona për shkak të rrezikut që ata të ndikojnë ndaj dëshmitarëve ose të shkatërrojnë dëshmi lidhur me hetimet, të cilat një ditë më parë i hapi prokuroria speciale. Vendimi për refuzimin e paraburgimit nuk ndikon ndaj vendimit të hapjes së hetimit, që sipas njoftimeve të Janevës do të vazhdojë më tej.
Alsat-M