Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias u largua të mërkurën nga posti për shkak të mosmarrëveshjeve në kabinet rreth emrit të Maqedonisë.
Kryeministri Alexis Tsipras ka pranuar dorëheqjen e ministrit të jashtëm, tha zyra e kryeministrit në një deklaratë duke shtuar se postin e tij do ta marrë zoti Tsipras.
Në një takim të qeverisë dje, zoti Kotzias u ndesh me ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, i cili është gjithashtu partner i koalicionit që mban në këmbë qeverinë e zotit Tsipras.
Kreu i partisë nacionaliste të Grekëve të Pavarur, Kammenos ka kërcënuar se do të largohet nga qeveria pasi është kundër marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kotzias dhe Tsipras në fillim të këtij viti për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut”.
Marrëveshja ka ngjallur kundërshtime të forta në të dy vendet.
Greqia ka një krahinë veriore me emrin Maqedoni, zemra e mbretërisë së dikurshme të Aleksandrit të Madh.
Shumë grekë kanë frikë se marrëveshja, që është ende në tryezë, do t’i krijojë mundësi Shkupit të ngrejë zyrtarisht pretendime ndaj trashëgimisë së tyre kulturore. (voa)