Gruevski: E ndihmoi Hungaria ish-kyeministrin maqedonas të arratiset?

Gruevski OrbanQeveria e Viktor Orbanit e mohon, por hulumtimet e Deutsche Welles tregojnë se Hungaria ndihmoi ish-kryeministrin e dënuar maqedonas, Nikola Gruevski të dalë nga vendi. Tani qeveria maqedonase është përpara një dileme.

Arratisja e ish-kryeministrit maqedonas nga vendlindja e tij në Hungari i ngjason një filmi thriller politik. Madje edhe mbrojtësi i shenjtë i deklaruar i Nikola Gruevskit, Viktor Orban, e quan atë, me njëfarë moskokëçarjeje, një “histori interesante, emocionuese sa të gjithë thrillerët. “Shumica e detajeve të këtij krimi janë të njohura dhe të konfirmuara zyrtarisht: Gruevski dënohet me dy vjet burg për korrupsion dhe janë duke u zhvilluar edhe procese të tjera për të. Ai në vend që të shkojë në burg në Shkup, paraqitet më 10 nëntor në ambasadën hungareze në Tiranë. Të nesërmen ai u shoqërua nga diplomatë hungarezë me automjete ambasade nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në Hungari, ku mbërriti në mëngjesin e 12 nëntorit. Megjithatë, është e paqartë se si Gruevski iku nga Maqedonia në Shqipëri.

Qeveria maqedonase e ka të vështirë dhënien e përgjigjes. E nuk është për t’u habitur, sepse pavarësisht si është ajo, ngjarja hedh dritë të errët mbi kabinetin e reformave nën udhëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. Ose qeveria e tij nuk ishte aq sa duhet kompetente për të mbikqyrur Gruevskin, pavarësisht qëllimeve të tij të njohura të largimit, ose ajo në heshtje e la të shpëtojë të pandehurin e dënuar. Veçanërisht e pakëndshme është që këtë të enjte, Parlamenti Evropian do ta diskutojë situatën në Maqedoni dhe poashtu rasti i Grusevskit do të diskutohet.

Katër apartamentet e Gruevskit – dy si adresa fiktive?

Një ekip hulumtues i Deutsche Welle-s ka mbledhur të dhënat rreth arratisjes së ish-kryeministrit nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas hulumtimeve, ish- kryeministri maqedonas në rrethin e tij personal kishte lënë përshtypjen se po përgatitej për burgimin e tij, ndërsa në të vërtetë ai po përgatitej të ikte në Hungari nëpërmjet Shqipërisë. Sipas hulumtimit, edhe diplomatët hungarezë mund t’i kenë ndihmuar atij.

Gazetarët e Deutsche Welle-s biseduan me fqinjët e Gruevskit, me punonjës të Hotel Marriot në Shkup, ku për herë të fundit është parë Gruevski, me punonjës nga Departamenti i Ruajtjes së Personave të Ministrisë së Brendshme, të cilët gjithashtu janë përgjegjës për Gruevskin, si edhe punonjës të autoriteteve financiare dhe gjyqësore.

Sipas informatave të Deutsche Welles, Gruevski ka përdorur në shtëpinë  e tij në qendër të Shkupit në total katër apartamente, edhe pse zyrtarisht vetëm dy i takojnë atij. Dy të tjerat ai mund t’i ketë përdorur për të fshehur vendqëndrimin e tij përpara fillimit të arratisjes. Në ditët para arratisjes së tij, Gruevski thuhet se i ka shtruar gjashtë truprojave të tij pyetje të shumta lidhur me logjistikën e burgjeve maqedonase dhe i ka këshilluar ata të blejnë rroba të përshtatshme për burgjet. Prandaj, ata kishin përshtypjen se ai donte të fillonte paraburgimin e tij. Kontakt me ta kishte së fundi ai kishte në mbrëmjen e 8 nëntorit. Në të njëjtën kohë, Gruevski në ditët para arratisjes kishte tërhequr një shumë totale prej rreth 100,000 eurosh nga xhirollogaria e tij maqedonase.

Së fundi, një dëshmitar, të cilin Deutsche Welle e intervistoi, thotë se e ka parë Gruevskin në mbrëmjen e 8 nëntorit, kur u largua nga Hotel Marriot në Shkup, i cili është në pronësi të kushëririt të Gruevskit, Sasho Mijalkov, ish-shefit të përfolur të shërbimit të fshehtë të Maqedonisë. Mijalkov jetonte në hotel deri në arrestimin e tij më 21 nëntor. Disa burime ia konfirmojnë Deutsche Welles se në tre javët e fundit në parkimin nëntokësor të Marriotit kaqnë qenë disa herë automjete të misionit diplomatik të Hungarisë në Beograd. Me kërkesë të Deutsche Welles, një zëdhënës i qeverisë hungareze nuk donte ta komentonte këtë informacion. Ai iu referua deklaratave të mëparshme se qeveria hungareze nuk ishte e përfshirë në ikjen e Gruevskit nga Maqedonia në Shqipëri.

“Rruga e Gruevskit duket e organizuar”

Politologu dhe eksperti i politikës së jashtme, Andras Racz nga Instituti i Politik i Kryeqytetit në Budapest, megjithatë e konsideron këtë të paimagjinueshme. “Rruga e Gruevskit nga Ambasada në Tiranë nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në Hungari duket shumë mirë e organizuar”, thotë Racz. “Duke pasur parasysh këtë, sipas mendimit tim do të ishte e çuditshme, nëse qeveria hungareze nuk e ka ndihmuar Gruevskin edhe për arratisjen nga Maqedonia ose të paktën ka qenë informuar për detajet. ”

Ky është edhe qëndrimi i politikanes së opozitës dhe anëtares së pavarur të parlamentit, Bernadett Szel. „Në mozaikun e informacioneve, pohimi i qeverisë se ata nuk kishin të bënin asgjë me ikjen e Gruevskit nga Maqedonia, është i diskutueshëm, “thotë Szel. Javën e kaluar, Szel i kërkoi autoritetit hungarez të azilit, BMH për detaje të procedurës së azilit të Gruevskit, si deputete, ajo e ka këtë të drejtë.

Konkluzioni i saj: “Nuk ka asnjë bazë ligjore për transferimin e Gruevskit përmes tre vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe hyrjen e tij në Hungari. Për këtë nevojiten vendime politike dhe një organizim në kohë dhe me kujdes i ikjes së tij, në mundësisht të gjitha segmentet e itinerarit të të udhëtimit.”

Problemi i Maqedonisë me NATO-n

Qeveritë e të dyja vendeve, veçanërisht ajo maqedonase nga informacionet e reja po futen gjithnjë e më shumë në dilemë. Për Maqedoninë është planifikuar në vitin e ardhshëm pranimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Frika e Maqedonisë: Hungaria mund të bllokojë të dyja proceset, në qoftë se qeveria e Zaevit ushtron shumë presion publik për çështjen Gruevski.  “Greqia ka bllokuar aspiratat euroatlantike të Maqedonisë për dy dekada”, shpjegon situatën gazetari maqedonas Saso Ordanoski. „Një Greqi tjetër nuk i duhet Maqedonisë, dhe Orban e di këtë “.

Politologu hungarez, Andras Racz beson se as Hungaria nuk është e interesuar për një përshkallëzim të situatës. „Deri tani, Hungaria ka pasur një politikë ballkanike koherente dhe pragmatike”, thotë Racz. “Një bllokadë kundër Maqedonisë do ta dëmtonte Hungarinë në BE dhe në rastin e NATO-s do të provokonte edhe SHBA-në. Kështu qeveria e Orbanit po përpiqet ta minimizojë çështjen dhe ta reduktojë atë thjesht në një çështje ligjore.”

(dw/Keno Verseck, Boris Georgievski )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>