Gruevski: jo presion ndaj Gjykatës Administrative

gruevskiKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e miratoi ankesën e fundit të Lidhjes Social Demokrate në Maqedoni për parregullsi në vend-votimin numër 2011 në Tearcë pranë Tetovës, që bën pjesë në zonën e gjashtë zgjedhore.

Katër anëtarë të komisionit votuan për dhe katër të tjerë kundër; një anëtar ishte i përmbajtur.

Me këtë, komisioni i hap rrugë procedurave në Gjykatën administrative mbi ankesat e partive. Të premten KSHZ miratoi një ankesë të Lëvizjes “Besa” për parregullsi në një qendër votimi në Gostivar, ku është konstatuar pengesa e një gruaje për të hedhur votën. Rivotimi i urdhëruar nga Komisioni Shtetëror i Zgedhjeve në këtë qendër që ka vetëm 800 votues mund ta ndryshojë rezultatin e mandateve të ligjvënësve, në dëm të partisë VMRO-DPMNE. Por, për këtë duhet të vendosë Gjykata administrative brenda një afati prej 48 orësh, nga paraqitja e ankesës.

Në kohën që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni diskutonte mbi një ankesë të opozitës për zgjedhjet e 11 dhjetorit, para zyrave të tij edhe të shtunën u mblodhën qindra përkrahës të partisë VMRO-DPMNE.

Para masës së tubuar foli Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së. Fjalimi i tij u cilësua si mjaft kërcënues jo vetëm ndaj anëtarëve të komisionit e opozitës por edhe kundër komunitetit ndërkombëtar.

Ai tha se KSHZ ka sjellë vendime të paligjshme me qëllim mashtrimin dhe manipulimin me vullnetin e popullit. Ai shtoi më tej se ka njoftime për përzierje të disa ambasadorëve të huaj, siç tha, për të ndikuar tek disa prej anëtarëve të komisionit me qëllim të falsifikimit të vullnetit të popullit në Maqedoni.

Kërkojmë që të qëndrojnë në kornizat e mandatit të tyre dhe të ndalojnë përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, tha Gruevski.

Opinioni publik këtë e nënkupton si porosi apo kërcënim në radhë të parë ndaj ambasadorit amerikan në Shkup Jess Baily, por dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Nikolla Gruevski bëri thirrje që të mos ushtrohet trysni ndaj Gjykatës administrative, e cila do të vendosë mbi ankesat e faktorëve politik të pakënaqur me vendimet e KSHZ-së.

“Nëse edhe gjykata i konfirmon vendimet e KSHZ-së, VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në rivotim dhe nuk do t’i njohë rezultatet e rivotimit”, tha z. Gruevski për të shtuar se: “Nuk do të lejojmë që krimineli i falur Zoran Zaev të formojë qeveri me vullnet të falsifikuar. Nuk lejojmë funksionimin e institucioneve të cilat nuk kanë legjitimitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha ai.

Ndërkohë, protestuesit para Komisionit të zgjedhjeve mbanin pankarta, në të cilat, mes tjerash shkruhej: “Donald Trump ne të duam” dhe “Ambasador Bejli, larg duart nga Maqedonia!”.

Ambasadori amerikan Baily pati një takim të premten me Gruevskin. Ambasadori nuk dha shumë hollësi për bisedën, por theksoi se SHBA janë partnere të këtij vendi dhe ai do të ketë takime të ngjashme me drejtues të tjerë, partitë e të cilëve fituan mandate në këto zgjedhje.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski doli me 51 mandate, ndërsa social-demokratët rivalë me 49. Të gjitha partitë shqiptare fituan së bashku 20 vende në parlamentin e Maqedonisë. Formimi i një koalicioni qeveritar duket të jetë tepër i vështirë, megjithëse për këtë mjaftojnë votat e shumicës së thjeshtë të deputetëve, apo 61 vota. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>