Prokuroria publike në Shkup ka ngritur akuza ndaj ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-Kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski si dhe kundër tre ish-zyrtrëve të lartë të pushtetit të kaluar, të dyshuar si organizatorë të ngjarjeve të dhunshme në pranverën e vitit 2017 në parlament. Gjykata themelore i ka kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit të deputetit Veljanovski, ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE i vlerëson këto akte si gjueti shtrigash.
Pesë persona, janë nën hetime lidhur rolin e tyre në organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të viti 2017, ndër ta ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-kryetari i parlamentit, Trajko Veljanovski. I pari nuk është i kapshëm për organet e rendit, ndodhet në Hungari ku i është dhënë azil, ndërsa i dyti ende është i lirë për shkak të imunitetit të deputetit që ka. Por Gjykata penale i ka kërkuar parlamentit t’ia heq imunitetin Trajko Veljanovskit, në mënyrë që ai të merret në pyetje dhe të mbahet eventualisht nën arrest.
Dy të dyshuarit e tjerë ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski tashmë ndodhen në paraburgim.
Prokurorët përdorin inicialet e emrave të të dyshuarve:
“I dyshuari N.G., atëherë kryetar i një partie politike, u ka bërë thirrje qytetarëve përmes një mediumi për në protesta dhe së bashku me të akuzuarit e tjerë e kishin vënë në funksion të gjithë strukturën partiake”, tha prokurorja e lëndës, Vima Ruskoska.
Të akuzuarit synonin ta pengojnë transferimin e qetë të pushtetit.
Prokuroria publike bëri të ditur të enjten se do t’ia dorëzojë gjykatës dëshmitë në lidhje me të dyshuarin N.G. (Nikolla Gruevski) që ajo t’ia kalojë Ministrisë së Drejtësisë për paraqitjen e kërkesës për ekstraditmin e tij nga Hungaria. Ata ngarkohen me veprën “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”. Dënimi më i ulët për këtë është dhjetë vjet burg.
Njëri nga të akuzuarit, ish-agjenti sekret Nikolla Boshkovski ndodhet në Greqi, ndërsa autoritetet në Shkup shpresojnë ta kthejnë për gjykim në Shkup. Athina para ca muajsh kishte refuzuan kërkesën për ekstradim për shkak të njoftimeve se ai ishte i amnistuar. Por, prokurorët thonë se ligji i amnistisë nuk vlen për organizatorët.
Kryeprokurori shtetëror Lubomir Jovevski, u tha gazetarëve se duhej kohë për sigurimin e dëshmive. Se Prokurorisë i duheshin më tepër dëshmi.
“E dinim se lënda nuk është mbyllur me ngritjen e aktakuzave. Për dokumentimin e dëshmive na u desht një kohë e konsiderueshme, para së gjithash për ekspertizën e telefonave të caktuar dhe përmbajtjen e tyre”, tha ai.
Prokuroria nuk shikon të jenë bërë lëshime nga ana e prokurorit të lëndës për shkak të mosmarrjes në pyetje të Nikolla Gruevskit lidhur me këtë këtë rast. “Gjithnjë kam përsëritur se procedura parahetimore vazhdon në drejtim të zbulimit të organizatorëve në lidhje me këtë ngjarje penale, tha prokurorja Vilma Ruskoska.
Ndërkohë, ajo vlerëson se nëse nuk do të ishin hapur dyert e parlamentit, nuk do të ndodhte ngjarja e përgjakshme.
Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE, drejtues dhe anëtarë të së cilës ishin apo janë të akuzuarit, fajëson pushtetin se përmes këtyre arrestimeve synon të nxisë frikë në popull dhe ta shtyjë opozitën t’i bojkotojë zgjedhjet e pritshme presidenciale.
Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickovski u drejtua me tone kërëcnuese ndaj kryeministrit Zaev, bashkëpuëntorëve të tij dhe prokurorëve e gjykatësve, të cilët i quajti “shërbëtorë të Zaevit, dhe se një ditë do të japin llogari”.
voa