Qeveria e Maqedonisë mori borxh prej 270 milionë eurove për dhjetë vite, përmes Euro-obligacionit të ri që u miratua sot. Përfitimi nga euro-obligacionet do të jetë 5.125 për qind në nivel vjetor, që do të thotë se deri në vitin 2020 do të duhet të kthehen 340 milion euro. Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që borxhi të jetë deri në gjysmë milion euro, Qeveria në moment të fundit vendosi të ndryshojë shifrën. Nga këto fonde, 20 milionë do të jenë në llogari të posaçme dhe do të destinohen për menaxhimin e krizës së refugjatëve, ndërsa 150 milionë do të jenë për kthimin e Euro-obligacionit të vjetër që u lëshua në vitin 2005. Pjesa e mbetur prej 100 milionëve do të përdoret për mbështetje buxhetore, përkatësisht me to pritet të sigurohet funksionimi pa pengesë i shtetit në gjysmën e parë të vitit 2016.
“LSDM-ja nuk do të lejojë që për shkak të shpenzimeve të tepruara të qeverisë, qytetarët të mbeten pa rroga, pensione, ndihmë sociale. Por, gjithashtu, LSDM-ja nuk do të lejojë që politikat e paarsyetuara dhe joekonomike të Gruevskit të jenë barra e gjeneratave të ardhshme. Prandaj u nënshkrova për huamarrje në vlerë prej 250 miliona euro, para të cilat janë të nevojshme për pagesën e rrogave, pensioneve, ndihmës sociale, subvencioneve të qytetarëve”, tha Kire Nuamov, zv/ministër i Financave.
“Ne nuk do të lejojmë të politizohet kjo çështje e cila nuk ka nevojë për politizim, duhet të qëndrojmë në sferën e profesionalizmit dhe qytetarëve t’u sigurojmë para të mjaftueshme për nevojat që duhet t’i siguroj buxheti. Qytetarët duhet të jenë të qetë derisa ne vendosim për politikën buxhetore dhe nevojat që duhet të financohen nga buxheti se do të ketë mjete të mjaftueshme për të gjitha projektet që janë paraparë me buxhetin e vitit 2016-të”, u shpreh Zoran Stavreski, ministër i financave. (alsat)