Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, është marrë në pyetje nga Gjykata penale e Shkupit lidhur me përfshirjen e tij në rrënimin e një objekti të një afaristi, rast ky që ishte pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.
Gruevski në pyetje është marrë nga prokurorët e prokurorisë speciale e themeluar për hetimin e dhjetëra zyrtarëve të përfshirë në vepra të rënda penale, ku bën pjesë ai së bashku me disa ministra të kabinetit të tij.
Ish-kryeministri ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij duke thënë se janë konstruktime të opozitës.
“Sot u thirra në Gjykatë sepse Katica Janeva (prokurorja speciale) ka dyshuar se do ta lëshojë vendin dhe nuk do të paraqitem në gjykatë. Nuk e di nëse dikush beson diçka të tillë, apo nëse është vetëm një dëshirë e porositësve të Janevës. Njeriu që tha se nuk e njeh gjykatën është i vetëdijshëm për popullaritetin e tij dhe mbështetjen nga populli, prandaj përmes kontrollit të Prokurorisë Speciale tenton që mua dhe bashkëpunëtorët e mi t’i paraqes si vet ai”, ka deklaruar Gruevski.
Pas marrjes në pyetje, Gjykata penale duhet të vendos lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale nëse Gruevskit do t’ia konfiskojë dokumentet e udhëtimit.
Hetimet ndaj Gruevskit dhe zyrtarëve kanë rifilluar pas anulimit të plotë të vendimin për faljen e tyre nga presidenti Gjorgje Ivanov.
Tërheqja e tij pasoi reagimet e shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe protestave të revolucionit shumëngjyrësh, të cilat aktin e kreut të shtetit e vlerësuan si rrënues të sistemit të drejtësisë.
Prokuroria Speciale ka nisur hetime për pesë raste ku janë përfshirë 56 zyrtarët të lartë të akuzuar për mashtrime zgjedhore, presione ndaj pushtetit gjyqësor, afera korruptive dhe vepra tjera. (rel)