Ish-komandantë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së në Maqedoni ditëve të fundit janë marrë në biseda informative.
Një ish-pjesëtar i UÇK-së ka informuar për INA se ditëve të fundit është thirrur në bisedë informative nga ana e DSK (Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit) dhe se arsyeja e ftesës ka qenë incidenti i armatosur në postën policore kufitare Gushincë në Karadakun e Shkupit.
Ai theksoi se është i shqetësuar nga ky veprim i organeve të sigurimit shtetëror dhe se gjithçka po ndodhë vetëm pas këtij incidenti.
“Unë jam ish-pjesëtar dhe sot i jam kthyer jetës normale, duke kryer punët e përditshme. Nuk kemi lidhje me skenare të errëta apo raste siç ishte incidenti në Gushincë. Disa prej nesh ka kaluar tre luftërat e fundit dhe sot i jemi rikthyer jetës normale me familjet tona. Nuk dij çka na shqetësojnë me këto veprime dhe shqetësimi është edhe tek familjet tona. Apeloj që Ali Ahmeti ta dij se çka po ndodhë. Ai dhe funksionarët e tij sot po shfrytëzojnë imunitetin dhe funksionet dhe nuk po shohin përtej kësaj dhe se si po maltretohen disa bashkëluftëtarë. Le të stopojnë këtë që po ndodhë dhe mos të hyjnë skenareve të rrezikshme”, deklaroi për INA, një ish-pjesëtar i UÇK-së.
Një pjesë e tyre duke mos pasur asnjë mbështetje institucionale, kanë marrë avokatët e tyre për t`u mbrojtur dhe për të shmangur çdo lloj tendence të inskenimeve të mundshme.
Ish-pjesëtarë të UÇK-së gjithashtu informojnë se për këto raste kanë informuar edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Shkup. (INA)