Nga Lidhja Social Demokrate, jozyrtarisht kanë bërë të ditur se propozimi i tyre i përmban thuajse të gjitha pikat e deklaratës politike të partive shqiptare, me përjashtim të atyre që nuk mund të miratohen pa ndryshimin e Kushtetutës, e për të cilën nevojiten dy të tretat, apo mbi 80 vota në Kuvend që për momentin nuk i kanë partitë që janë në negociata.
Propozimi i tyre parasheh zgjerimin e përdorimit të shqipes në të gjitha nivelet e shtetit ku në të kaluarën kishte probleme në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfshirë edhe komunat ku nuk ka shqiptar, në rast se ata u drejtohen autoriteteve të atjeshme komunale për marrjen e shërbimeve të ndryshme.
Gjithashtu, materialet e dërguara të LSDM-së në adresën e BDI-së përmbajnë edhe pikat tjera, si vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale si dhe çështjen që kanë të bëjnë me integrimin euroatlantik. (INA)