Kjo javë pritet të jetë vendimtare për të parë se çka do të përfitojnë subjekte politike shqiptare BDI dhe ASH, sa i përket eshalonit të tretë, atë të drejtorive në institucionet e ndryshme shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Deri më tani, partia më e madhe në pushtet, LSDM, është kujdesur që në institucione kyçe të emërojë kuadro nga radhët e vetë, si në Drejtorinë për të ardhura publike, Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim dhe në Byronë për siguri publike. Sipas burimeve të afërta me ASH, LSDM nuk ka pasur konsultime paraprake me partitë shqiptare, gjë që ka shkaktuar indinjate deri te strukturat e larat të dy partive shqiptare. Por, siç thonë për gazetën KOHA burime partiake, BDI dhe ASH kanë heshtur me qëllim që t’i japin kohë dhe mundësi LSDM-së që të heq nga pushteti kuadrot e VMRO-së dhe janë pajtuar që në drejtoritë e MPB-së të kenë vetëm zëvendës dhe në disa drejtori tjera të përfolura për korrupsion nga VMRO. Sipas këtyre burimeve, në pikëpyetje është edhe Drejtoria e burgjeve, ku nga BDI deri më tani ka pasur zëvendës, edhe atë Reshat Ramadanin, i cili tani pretendon të bëhet drejtor te burgjet. Nga drejtoritë e rëndësishme që LSDM ka lëshuar pe është Drejtoria e doganave, e cila gjatë qeverisjes më VMRO ka pasur për udhëheqës vetëm maqedonas. Ky post lakmohet nga ish ministri i drejtësisë, Blerim Bexheti, por edhe nga funksionarë tjerë partiak nga BDI.
Ndërsa drejtoritë që do t’iu takojë shqiptarëve e që deri të tani kanë udhëhequr maqedonasit, është edhe Policisë financiare dhe Drejtoria pyjeve të Maqedonisë. Kjo e fundit kërkohet nga dega e Tetovës, ndërsa Drejtoria e kullosave dhe Drejtoria e rezervave të naftës do të vazhdojë t’i ketë dega e Kumanovës. Siç merr vesh gazeta KOHA nga burime partiake, BDI do të vazhdojë të udhëheq me Fondin Pensional, edhe atë me Isni Jakupin, me Drejtorinë e hekurudhave, ndërsa tek Drejtoria për konfiskimin e pronave ka gjasa të udhëheq Furkan Feta nga dega e Sarajit, aktualisht këshilltar në Parlament. Mbetet të shihet nëse Drejtoria për menaxhimin e lokaleve afariste me pronësi shtetërore qe merret me shitjen dhe dhënien me qira të tyre të mos ketë dy drejtori, siç e ka ndarë VMRO kur njëri drejtor që ka qenë maqedonas ka menaxhuar me mjetet nga shitja dhe qiraja që i kanë shkuar vetëm ndërmarrjes, ndërsa drejtori shqiptar ka menaxhuar me mjetet e lokaleve dhe hoteleve afariste që i kanë shkuar buxhetit të shtetit.
Nga ASH thonë se meqë ky subjekt është faktor kyç për formimin e Qeverisë, e pritshme është që në eshalonin e tretë të kërkojnë drejtori të rëndësishme. “Presim këto ditë të rifillojnë bisedimet për ndarjet tjera te eshalonëve që vijojnë. Kjo ndarje do të bëhet në pajtim me partnerët e koalicionit bashkë-qeverisës. Është e rëndësishme që shqiptarët të udhëheqin me resorë, të cilat deri tani nuk janë udhëhequr, nga shqiptarë me qëllim të ruajtjes së balancës si dhe avancimin dhe punësimin e kuadrove ne ato institucione. Aleanca për Shqiptarët, meqë është faktor kyç i kësaj qeverie, është e logjikshme që të jetë e vendosur dhe aktive në kërkesat e saja për të udhëhequr me resorë të rëndësishme, me plot përgjegjësi dhe profesionalizëm. Emrat konkret se për cilat drejtori, agjenci, fonde dhe ente do bëhet fjalë, janë pjesë e bisedimeve dhe takimet mes grupeve punese”, thotë për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i LR-PDSH-së. Nga ana tjetër, zyrtarë partiakë nga ASH që duna të mbeten anonim, thonë se synimet janë që t’i marrin disa ndërmarrje publike, siç është Posta e Maqedonisë apo ELEM dhe disa agjencione tjera të rëndësishme, ndërsa zëvendës do të kenë në Drejtorinë për siguri publike dhe në Drejtorinë për të Hyrat Publike. Në drejtori tjera ku nuk kanë drejtorë, do të kenë zëvendës. /Koha.mk