Burime brenda policisë maqedonase për Tv Telma të Shkupit kanë thënë se pjesa më e madhe e personave të maskuar në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë janë identifikuar.
Identiteti i tyre është vërtetuar plotësisht nga një ekip prej tetë inspektorëve. Gjatë hetimeve, tashmë është bërë e ditur se ku ishte shefi i shtabit operativ, Mitko Çavkov, që në atë kohë ishte edhe drejtor i Byrosë për Siguri Publike (BSP).
Ai u akuzua nga ministri i atëhershëm Agim Nuhiu se nuk është paraqitur dhe se nuk ka dhënë urdhër që policia të veprojë. Megjithëse Çavkov nuk ka treguar saktë se ku ka qenë, bëhet e ditur se ai ka qenë afër Kuvendit, por nuk sqarohet nëse edhe ai ka qenë njeri nga të maskuarit ose vetëm i ka dirigjuar inspektorët e tij.