Edhe sot, prokurorja speciale Katica Janeva përgjigjej në pyetjet e deputetëve. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski i kërkoi Janevës të tregojë se çfarë kapaciteti personal posedon, në cilat raste ka punuar në Gjykatën e Gjevgjelisë dhe a ka punuar për rastet me shoqatat kriminale, për mashtrime zgjedhore, për vepra për të cilat dënohet mbi 5 vjet burg. Ai gjithashtu e pyeti Janevën se përse kryetari i Pustecit më shumë e paska dëmtuar Maqedoninë sesa ish drejtori i DSK-së Zoran Verushevski.
“Për arsye se udhëhiqni raste të ndryshme, ndërsa gjithmonë thirreni në interesin e qytetarëve dhe në sundimin e së drejtës në Maqedoni, dëshiroj t’ju pyes se çfarë interesi të qytetarëve të Maqedonisë ose cilin ligj e ka shkelur Edmond Temelkoja që të arrestohet, për dallim nga Verushevski, i cili duhet të lirohet?”, u shpreh Antonio Milloshoski, nga VMRO-DPMNE.
Prokurorja Speciale me përgjigje të menjëhershme për Milloshoskin, i cili megjithatë nuk e mori përgjigjen e dëshiruar.
“Milloshoskin e dëgjoj me kujdes, sepse e dëgjoj edhe në bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme dhe e njoh shumë mirë kapacitetin e tij personal, ndërsa për kapacitetin tim personal, shef e kam pasur prokurorin Marko Zvrlevskin, kështu që le të tregojë ai”, tha Katica Janeva, Prokurore Speciale.
Gjithsesi, u parashtrua edhe pyetja për “bombat”, gjegjësisht në çfarë mënyre opozita ka ardhur deri te posedimi i materialit të përgjuar.
“Edhe pas 13 muajve, nuk kemi përgjigje në pyetjen se kush ia dha Zaevit materialet e përgjuara!”, tha Dimitar Stevananxhija, nga VMRO-DPMNE.
Si përgjigje ndaj kësaj pyetjeje, Janeva kërkoi që sa më shpejtë të caktohet seancë për këtë çështje.
“Nëse gjykata pajtohet që lëndën ta caktojë për më 1 tetor, të fillohet me gjykimin, atëherë unë jam e gatshme që të paraqitem në gjykatë dhe të mbaj fjalë hyrëse për këtë lëndë”, shtoi Janeva.
Nga ana tjetër, deputeti Goran Misovski i përmendi sulmet mbi PPS-në dhe tha se ky institucion është i vetmi mbi të cilin VMRO-DPMNE nuk ka kontroll.
Seanca e Komisionit për sistem politik dhe për marrëdhënie ndërmjet bashkësive ende vazhdon dhe sipas numrit të deputetëve të paraqitur për pyetje, duhet të zgjasë deri në orën 23. Në këtë komision, si pikë e rendit të ditës është edhe raporti vjetor i Prokurorisë Publike Themelore, i cili do të shqyrtohet pasi deputetët do t’i konsumojnë pyetjet për Katica Janevën. (ina)