Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas humjes së thellë në zgjedhjet lokale

ZaevKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sonte dha dorëheqjen pasi partia e tij humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal. Ai shpalli edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate.

“Unë marr përgjegjësinë për këto zhvillime dhe jap dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë,” tha zoti Zaev, socialdemokratët e të cilit drejtojnë koalicionin qeverisës.

Partia e tij pësoi humbje në komunat e Shkupit, Kumanovës, Manastirit, Ohrit dhe në një sërë komunash të tjera përballë VMRO-DPMNE-së në opozitë. Zoti Zaev uroi kundërshtarët politik për fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Mbetem me besimin e vjetër se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj për një periudhë sa të jetë e nevojshme, për të organizuar qeverinë e re me një shumicë përparimtare që ka e që mund edhe të zgjerohet”, u shpreh zoti Zaev.

Ai tha se është krenar me arritjet e vendit, siç është anëtarësimi në NATO dhe regjistrimin e popullsisë që u mbajt para pak javësh. Ai u shpreh i dëshpëruar nga ana tjetër, për faktin se siç tha, “shumica zgjodhi ata të cilët vetëm para katër vitesh u futën në parlament për të vrarë njerëz. U barazuan viktimat me dhunuesit. Unë solla lirinë dhe demokracinë, ndërsa demokracia nënkupton përgjegjësinë”, u shpreh zoti Zaev.

Vitin e kaluar, në zgjedhjet parlamentare, një aleancë e udhëhequr nga socialdemokratët e zotit Zaev shënoi një fitore të ngushtë përballë VMRO-DPMNE-së.

Zoti Zaev, udhëhoqi qeverinë që nga viti 2017 dhe e vuri vendin në rrugën e integrimeve evropiane, duke rënë dakord edhe për të ndryshuar emrin e vendit, gjë që i dha fund një mosmarrëveshje me Greqinë, e cila e shihte emrin Maqedoni si një pretendim për provincën e saj me të njëjtin emër dhe kishte bllokuar anëtarësimin e fqinjit të saj në BE dhe NATO.

Ndërsa nga pala me prejardhje shqiptare, sukses arritën vetëm Bilall Kasami dhe Arben Taravari, nëse ndjekin shembullin e Kryeministrit atëherë të tjerët duhet të japin llogari.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>