Z. Afrim Ibrahimi – Fanda konsideron se manipulimet me zgjedhjet dhe kushtëzimet e votuesve i ka në dorë vetë pushteti.
Ja prononcimi:
Prononcimi i kandidatit të LSHD, z. Afrim Ibrahimi – Fanda, për mos nënshkrimin e kodeksit për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Sot unë u ftova për të nënshkruar një farë kodeksi për zgjedhje fer dhe demokratike, bashkë me ata që gjatë gjithë kohës shkelin me të dy këmbët, çdo lloj kodeksi dhe norme demokratike, gjatë dhe pas çdo lloj zgjedhjeje elektorale.
Sa demokratike mund të jenë këto zgjedhje lokale, kur forca politike përgjegjëse për tragjedinë e 8 shtatorit në spitalin e Tetovës, që sërish pretendojnë votën e qytetarëve në këto zgjedhje, sot mbajnë në paraburgim 5 qytetarë, vetëm sepse shfrytëzuan të drejtën e pamohueshme në gjithë botën për të protestuar.
Mbajtja në paraburgim të protestuesve, nga vetë ata që duhet të mbajnë përgjegjësie morale dhe ligjore për këtë tragjedi, në kohë zgjedhjesh lokale, nuk është asgjë tjetër përveçse presion psikologjik ndaj votuesve.
Unë personalisht dhe forca politike që përfaqësoj, realisht nuk kam as gatishmërinë dhe as pushtetin për të cënuar këto zgjedhje për pushtet lokal. Ndaj nuk marr pjesë në farsën e rradhës.