Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, sot në seancën për mocionin e mosbesimit të qeverisë, tentoi ta rrëzojë Qeverinë e Kryeministrit Zoran Zaev, por u ndërpre po me kërkesë të VMRO-së, meqë u mungoi një deputet.
Ishte deputeti i Besës së LSDM-së të Zaevit – Kastriot Rexhepi që nuk shkoi te Besa e VMRO-së së Mickovskit!
Në faqen e tij në Facebook Kastriot Rexhepi i Besës së Zaevit, me simbolet e BE – RSM dhe Natos, e arsyetoi veprimin e tij:
Një nga kauzat kryesore të mija dhe subjektit politik Lëvizja Besa që i përkas, ka qënë integrimi euro atlantik i RMV.
Duke patur parasysh momentumin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vëndi ka gjasa të mëdha të marë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të mar pjesë në seancën parlamentare ku duhej të meret vendim me të cilin do vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë.
Shteti në këtë periudhë të rëndësishme nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujëra të turbullta me plot të panjohura.
Kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, u largua seanca për të mos u bërë deputeti i 61-të, meqë nuk e mbështet nismën, ndërsa drejtimin e seancës ia la nënkryetarit të parlamentit, Fadil Zendelit të Lëvizjes Besa të LSDM-së.
Për rrëzimin e Qeverisë duhen 61 deputetë nga 120 sa ka parlamenti. Nënshkrues të kësaj nisme të ngritur nga VMRO-DPMNE me 44 deputetë, janë edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa (fraksioni nga “Besa”) që së bashku kanë 12 deputetë, Lëvizja Besa e cila ka 3 deputetë, por me largimin e Kastrioti Rexhepit i mbetën 2 dhe Partia E Majta me 2 deputetët e saj.
Kuvendi e ka ndërprerë seancën me kërkesë të VMRO DPMNE-së, e cila do të shqyrtojë situatën pas vendimit të këtij deputeti.
VMRO-DPMNE, koalicioni AAA, si dhe Lëvizja Besa, besonin se kanë siguruar votat e 61 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.