Komisioni Evropian ka dal me një deklaratë për marrëveshjen e arritur mbrëmë në Shkup.
Por ajo që shihet nga kjo marrëveshje në pika të përgjithshme nënvizohen prioritetet që duhet plotësuar nga ana e katër partive politike, ndërsa është evidente se nuk ka asnjë detaj apo fjali për Marrëveshjen e Ohrit, apo çështjet që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve, që së fundi ishin deklaruar nga dy partitë politike BDI dhe PDSH.
Në deklaratën e publikuar theksohet se bisedimet mes katër liderëve të partive politike me ndërmjetësimin e eurokomisionerit Johannes Hahn kanë qenë konstruktive dhe se të gjitha partitë janë angazhuar që të vendosin më përpara interesat e qytetarëve dhe të gjitha bashkësive etnike.
Por, në deklaratë theksohet se në takimin e radhës në Bruksel do të diskutohen pikat kryesore të marrëveshjes, të cilat siç thuhet duhet të finalizohen. Ndër këto pika është edhe formimi i një qeverie kalimtare apo të zgjeruar, pasi që katër partitë kryesore por sidomos VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë dallime dhe mosmarrëveshje lidhur me qeverinë kalimtare, e cila nga opozita kërkohet që të jetë pa Nikola Gruevskin si kryeministër dhe ky post të mos i takoj VMRO-DPMNE.
Partitë politike siç thuhet janë angazhuar gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe fqinjësore, procesin e integrimeve euroatlantike si dhe zgjidhjen e sfidave me të cilat përballet vendi.
KE gjithashtu nënvizon se palët kanë arritur marrëveshje që në prill të 2016 të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, mirëpo deri në mbajtjen e tyre do të duhet realizimi i kërkesave dhe prioriteteve siç janë ndryshimi i kodit zgjedhor, pastrimi i listave zgjedhore.
Në deklaratë gjithashtu kërkohet sundimi i së drejtës përmes reformave në gjyqësor, liria e medias dhe kërkesa të tjera, një pjesë e të cilave janë artikuluar nga opozita maqedonase. (INA)