Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe të Maqedonisë Nikos Kocias dhe Nikolla Dimitrov u shprehën me optimizëm për ndërtimin e një raporti më të mirë dhe bashkëpunues në të ardhmen.
Çështja e emrit është çështje shumë delikate dhe duhet të gjehet zgjidhje, e cila nuk do të nënvlerësojë askënd dhe do t’i hapë dyert e ardhmërisë, tha ministri maqedonas Nikolla Dimitrov. “Në interes të përbashkët është të gjehet zgjidhje për këtë problem shumëvjeçar. Çështja po zgjat shumë kohë, po tentojmë të ndërtojmë besim dhe t’i largojmë paragjykimet të cilat ende ekzistojnë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov.
Atmosferë pozitive në të gjithë rajonin
Për ministri e jashtëm grek Kocias zgjidhja e problemeve mes dy vendeve do të ndikojë për atmosferë pozitive në të gjithë rajonin. “Sot bëmë hapa t’i zgjidhim problemet që nuk i krijuam ne por i gjetëm. Ne duam të ndërtojmë bashkëpunim, stabilitet dhe siguri mes territoreve gjë që do të ndihmojë në të gjithë rajonin. Në politikë është lehtë të mos bësh asgjë.
Dimitrov: Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, të ardhmen po
Kocijas tha se tashmë 28 pika nga tri dokumentet e Maqedonisë, Greqisë dhe ndërmjetësit Metju Nimic janë shqyrtuar dhe tejkaluar, por ende ka shumë punë. Kocijas dhe Dimitrov siguruan se nuk do të ketë zgjidhje për këtë kontest me të cilën dikush do të ndjehet i fyer dhe i dëmtuar dhe dikush fitimtar. Kocijas madje siguroi se për qytetarët që besojnë në ardhmërinë e përbashkët të Greqisë dhe të Maqedonisë, zgjidhja që do të gjendet do jetë e pranueshme.
“Tekstet bëhen për të sqaruar pozicionet e të gjithë palëve. Sigurisht që në fund do të bëjmë një tekst të vetëm. Në parim jemi marrë vesh për pikat kyçe. Nimic do ta vendos atë që do ta zgjidhim në tekstin e tij. 28 pika janë tejkaluar deri më tani. Tek do të merremi vesh për pikat e tjera. Besoj shumë në temën që e trajtojmë dhe besoj se me një diskutim pozitiv do të tejkalojmë këtë problem”, ka thënë Kocias .
“Një zgjidhje afatgjatë duhet të jetë e krijuar me ndihmën e të dy palëve, dhe do të pranohet nga të dyja palët. Ne në Ballkan kemi shumë të kaluar, por shumë pak ardhmëri. Ne mundemi ta ndryshojmë të ardhmen të paktën pasi historinë nuk mundemi ta ndryshojmë, vetëm mund ta respektojmë. Nëse këtë e zgjidhim si duhet, do të kemi ardhmëri të përbashkët në BE”, tha Dimitrovi.
Kocias : Ligjet dhe mentaliteti ndyshojnë me kohë
Ministri i Jashtëm grek Kocias u pyet edhe për atë se çka nënkupton me termin “kompromis i ndershëm”. Nëse kërkoni ndryshim të Kushtetutës kjo nuk është kompromis i ndershëm, nëse kërkoni zgjidhje me emër të ngjitur pa përkthim as kjo nuk është kompromis i ndershëm. Çka është sipas jush kompromis i ndershëm, ishte pyetja e gazetarëve nga Maqedonia. Kocias tha se ndryshimi i kushtetutës nuk është diçka e tmerrshme, sepse ligjet dhe kushtetuta vazhdimisht ndryshojnë.
“Ligjet dhe mentaliteti ndryshojnë me kohë. Nuk duam që njëri shtet të shkatërrohet e tjetri të ndërtohet. asnjëra palë nuk mund të pranojë gjithçka që propozon pala tjetër. Edhe në shtëpitë tona me fëmijët bëjmë kompromise. Askujt nuk mund t’i imponosh diçka. Duam një ardhmëri të përbashkët dhe ta zhvillojmë ardhmërinë së bashku me ndershmëri”, është përgjigjur ministri grek Nikos Kocias.
Kocijas takoi në Shkup edhe kryeminsitrin Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin Bujar Osmani, kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Por Kocias e anshkaloi takimin me presidentin Gjorgji Ivanov.
Protesta para Ministrisë së Jashtme
Një grup qytetarësh protestuan para Minstrisë së Jashtme gjatë kohës kur mbahej takimi mes shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe të Greqisë. Ata u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë rreth mënyrës se si po zhvillohen bisedimet. Ata thanë se qytetarët janë kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë dhe kundër këtyre bisedimeve. Stop gjenocidit në Maqedoni, Stop racizmit dhe diksriminimit të maqedonasve, Stop holokaustit ndaj maqedonasve, ishin pjesë e parrullave të protestuesve.
Më 30 mars të dy ministrat e Jashtëm do të takohen në Vjenë me ndërmjetësuesin e OKB-së Metju Nimic. (dw)