Komisioneri për Zgjerim i BE-së zyrtarëve në Shkup: Vazhdoni reformat

Varhelyi ZaevNjë ditë pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian, Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi udhëtoi sot (të mërkurën) drejt rajonit. Në Shkup ai theksoi nevojën e vazhdimit të reformave në më shumë fusha, ndërsa foli dhe për paketën ekonomike për vendet e Ballkanit, por pa dhënë hollësi në këtë fazë sa fonde do të përfitojë secili shtet.

Komisioneri Oliver Varhelyi tha se paketa ekonomike do të jetë një shtysë e madhe për ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e rimëkëmbjes pas krizës së Covid-19. Po kështu sipas tij do të përshpejtojë hapat për të mbërritur në nivelin e pjesën tjetër të Evropës në aspektin ekonomik dhe social.

Ne, tha Komisioneri, jemi përpjekur të gjejmë fushat të cilat do t’i kontribuonin më së miri rimëkëmbjes ekonomike të rajonit dhe krijimit të shpejtë të vendeve të punës.

Komisioneri e quajti këtë një ofertë të Bashkimit Evropian të cilën qeveria në Shkup do të duhet ta zbatojë.

Oferta ekonomike do të ndihmojë në ndryshimin e shpejtë të peizazhit të rajonit, u shpreh zoti Varhelyi.

Me ndryshimin e peizazhit ekonomik, në mënyrë që Ballkani Perëndimor të bëhet një rajon më tërheqës për investimet në të gjithë botën, për popullin tuaj këtu duke përmirësuar kushtet e jetesës kur është fjala për shëndetin publik, qasjen tek teknologjia digjitale. Ne jemi gati ta bëjmë këtë së bashku me ju”, tha ai.

Meqë kjo është një ofertë, ajo vjen bashkë me një kërkesë dhe kërkesa është se duhet të tregoni rezultate në reforma”, tha Komisioneri duke shtuar se kjo do ta sigurojë besueshmërinë e të gjithë procesit.

Ne duam të shohim një veprim të shpejtë dhe efektiv në terren kur bëhet fjala për sundimin e ligjit, korrupsionin dhe luftën kundër tij, dhe të gjitha reformat rreth Prokurorisë së Posaçme. Na duhen rezultate që të paraqesim zotimet tuaja para anëtarëve të BE-së”, tha zoti Varhelyi.

Për ofertën prej nëntë miliardë eurosh, komisioneri tha se BE-ja po negocion me institucionet ndërkombëtare financiare partnere “prej të cilave ka lajme të mira”, sic tha ai, duke bërë me dije se në Bruksel do të mund të krijohej edhe një fond prej 20 miliardë eurosh shtesë për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave.
Duhet t’i lidhim të gjitha kryeqytetet në rajon dhe kjo do të ketë një efekt të madh në tregti dhe investime”.
Në këtë kuadër, ai vuri në dukje nevojën e zhvillimit të internetit me brez të gjerë dhe zhvillimin infrastrukturor me synim rritjen ekonomike.

Komisioneri theksoi domosdoshmërinë e prodhimit të energjisë që do të ruante ambientin dhe shmangien nga përdorimi të qymyrit për të ulur shkallën e ndotjes. “Zëvendësimi i qymyrit me gazin do ta ulte në 60 përqind lëshimin e grimcave ndotëse në ajër”, tha ai.

Zoti Varhelyi foli edhe për nevojën e përfshirjes së komunitetit rom në shoqëri dhe integrimin e tij në tegun e punës. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën e ndalimit të ‘ikjes së trurit’ dhe kthimit të të rinjve nga vendet perëndimore që do të kërkonte siç tha mes tjerash modernizim të sistemit arsimor. Komisioneri për Zgjerim përsëriti disa herë se të gjitha angazhimet do të bëhen në bashkëveprim me Bashkimin Evropian.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev e falënderoi komisionerin për avancimin e asaj që ai e quajti dosja euro-integruese t Maqedonisë së Veriut.

Ai theksoi se raporti dhe paketa ekonomike shpallen në një periudhë kur vendi pret konferencën ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve deri në fund të vitit nën presidencën aktuale gjermane të Bashkimit Evropian.

E gjithë paketa e dokumentave është kontribut për krijimin e një momenti të fuqishëm politik edhe për një hap përfundimtar të axhendës evropiane të vendit tonë në të cilën do të fillojë procesi i bisedimeve në pajtim me metodologjinë e re dhe hyrja në një fazë të re më të lartë në realizimin e qëllimit strategjik që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Kryeministri maqedonas i tha Komisionerit se vendi i tij këtë angazhim do t’a kthejë me punë, rezultate dhe evropianizim të Maqedonisë së Veriut.

Komisioneri u takua me Kryetarin e Parlamentit, zotin Talat Xhaferi dhe mbajti një fjalim para deputetëve, ku u ndal në pjesë kryesore të raportit të Komisionit Evropian. Ai i inkurajoi ligjvënësit që të angazhohen në debate demokratike dhe të dëshmojnë pavarësi nga pushtetet tjera. Zoti Varhelyi u prit edhe nga Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Raporti i Komisionit Evropian nënvizon përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por ngre shqetësime mbi shkallën e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>