Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni është mbledhur në seancë për shqyrtimin e ankesave të paraqitura nga Lëvizja Besa dhe Lidhja Social Demokrate. Deri në orët e vona të pasdites komisioni ka miratuar vetëm një prej tetë ankesave të Lëvizjes Besa, për hapjen e një kutie votimi dhe rinumërimin e votave nga kjo kuti që vjen prej zonës së dytë zgjedhore, që përfshin një pjesë të Shkupit dhe Kumanovën.
Autoritetet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve vërejnë se nuk janë respektuar procedurat ligjore nga ana e parashtruesit të ankesës, se nuk është njoftuar me kohë komisioni vendor ku pretendohet të jenë bërë parregullsi, apo se mungojnë nënshkrimet e vetë përfaqësuesve të partisë nga qendrat e votimit ku thuhet të kenë ndodhur problemet.
Lëvizja Besa shpresonte se me procedimin e drejtë të çështjes do të mund të fitonte edhe një mandat në zonën e dytë dhe një tjetër në zonën e gjashtë zgjedhore që do t’ia shtonte numrin e deputetëve nga 5 sa ka aktualisht, në 7. Por, sipas qëndrimeve të KSHZ-së, duket se nuk do të ketë ndonjë ndryshim rezultati për Lëvizjen Besa, ndërkohë që pritet të diskutohet edhe për tetë ankesat e tjera të Lidhjes Social Demokrate (LSDM). Kjo e fundit nuk e njeh rezultatin e parë të KSHZ-së për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit, nga doli me 49 mandate ligjvënësish, nga 120 sa do të ketë parlamneti i vendit. Partia pretendon se ka numër të njejtë mandatesh me VMRO-DPMNE-në; nga 50 secila. Nga ana tjetër VMRO-ja bën thirrje për zyrtarizimin sa më të shpejtë të rezultatit dhe konstituimin e parlamentit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re.
Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE ka 51, LSDM – 49, BDI – 10, Besa – 5, Aleanca për shqiptarët – 3 dhe PDSH – 2 vende deputetësh. Për miratimin e qeverisë se Maqedonisë duhen 61 vota në parlament. (voa)