Gjykata themelore Shkupi i konfirmoi refuzimin e ekstradimit të Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri nga autoritetet e Kosovës. Megjithatë nga Gjykata e Shkupit njoftuan se fletërresti ndërkombëtar për dy të dënuarit në rastin “Monstra” mbetet në fuqi.
“Sa i përket fletëarrestit ndërkombëtar për personat Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri i lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, i cila është aktiv ende nëse këto persona gjenden në një shtet të tretë, jashtë kufijve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, do të veprohet në bazë të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë për ekstradim”, deklaruan nga Gjykata Themelore Shkupi I.
Edhe Gjykata e Apelit të Kosovës konfirmoi vendimin për refuzimin e ekstradimit të dy të dënuarve në rastin “Monstra”. Vendimi për ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailvoiqit, sipas Gjykatës i është komunikuar tashmë Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë vendimi i Gjykatës nuk ka mbërritur ende zyrtarisht te avokati i Demirit dhe Ismailoviqit, të cilët siç bëhet e ditur jozyrtarisht janë liruar pasi vuajtjes së dënimit me burg prej dy vjet e gjysmë për veprën armëmbajtje pa leje.
“Unë nuk kam pranuar asnjë vendim të Gjykatës deri më tani posaçërisht pas publikimit të këtij lajmi, tani për tani nuk mund të komentoj atë që çfarë është publikuar në media derisa të dalë një vendim i Gjykatës që konfirmon ose mohon atë”, tha Besnik Berisha, avokat.
Ndërkaq familjari i të dënuarve në rastin “Monstra” Bedri Ajdari vendimin e Gjykatës në Prishtinë e cilësoi si të drejtë dhe madje tha se shpreson që edhe të dënuarit në Maqedoni së shpejti do të lirohen nga aktakuza sipas tij e pabazë.
“Është pritur kjo se pala mbrojtëse që i përfaqëson në Kosovë ka thënë se së shpejti këto do të lirohen me vendim të Gjykatës së Apelit, nëse është bë kjo më gëzon fakti. Më gëzon fakti që përfundimisht Kosova gjegjësisht organet e drejtësisë së Kosovës kanë marrë një vendim shumë të drejtë pasi ia bënë me dije shtetit të Maqedonisë se nuk vlejnë urdhrat e “naçallnikëve” atje në Kosovë. Është vendim i drejtë sipas meje dhe duke pasur parasysh në Kosovë organet e drejtësisë dhe çdo institucion kontrollohet nga EULEX dhe shumë faktorë ndërkombëtarë që janë relevantë për Kosovën. Shpresoj që së shpejti edhe në Maqedoni ky vendim të sillet të lirojnë të akuzuarit që janë akuzuar me një akuzë të pabazë sipas meje dhe sipas të gjitha indikacioneve”, Bedri Ajdari, familjar i të dënuarve të rastit “Monstra”.
Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, ishin arrestuar në Prishtinë në mars të vitit 2013. Tek ta policia e Kosovës kishte zbuluar dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë. Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona. Familjarët dhe pala mbrojtës kërkojnë që qasti “Monstra” të shqyrtohet nga Prokurorja Speciale Katica Janeva.
Semra Musai