Konstestohen rezultatet e regjistrimit të popullsisë

regjistrimiRezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut kontestohen nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare derisa për partitë në pushtet, pas 20 vjetësh ky shtet ka realizuar regjistrimin më të besuar dhe të saktë të popullsisë.

Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 1.8 milion banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002.

perqindja e shqiptareve sipas rajoneveShqiptarët përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë rezidente, apo rreth 1 për qind më pak se në regjistrimin e fundit kur ishin 25.17 për qind. Maqedonas në shtet jetojnë rreth 58 për qind apo 6 për qind më pak se në regjistrimin e fundit.

Rezultatet e Entit të Statistikave tregojnë se Maqedonia e Veriut ka një ulje të popullsisë prej 185 mijë banorësh në krahasim me regjistrimin e vitit 2002. Në 207 vendbanime nuk kanë tashmë banorë. Ndërsa, nga qytetet e mëdha Gostivari ka shënuar ulje të numrit të popullsisë për mbi 20 mijë banorë, ndërsa Kërçova për rreth 17 mijë. Sa i përket Shkupi, këtu është regjistruar rritje e numrit të shqiptarëve nga 20.4 në 22.8 për qind.

“Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave, i realizuar nga 5 deri 30 shtator të vitit të kaluar, është kryer me sukses dhe ofron informacione përkatëse për gjendjen reale të popullatës dhe mundëson krijimin e politikave me interes për qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e regjistrimit janë të besueshme, të vlefshme dhe të dobishme për planifikimin e politikave shtetërore”, thuhet në njoftimin e Qeverisë maqedonase.

Por, opozita, si ajo maqedonase, ashtu edhe ajo shqiptare, kontestojnë rezultatet e regjistrimit.

VMRO-ja vlerëson se ky operacion statistikor nuk është i kompletuar pasi mbi 130 mijë banorë që janë përfshirë në regjistrim, nuk e kanë deklaruar përkatësinë e tyre etnike. Kjo, parti ka thënë se pas ndërrimit të pushtetit do të organizojë një regjistrim të ri elektronik të popullsisë.

“Këtë regjistrim pushteti tenton që ta prezantojë si të suksesshëm, por largimi i popullatës dëshmon se ai ka dështuar. Numri prej 7.2 i popullatës së regjistruar, por që nuk i dihet përkatësia etnike flet qartë se ky regjistrim nuk është i kompletuar. Institucionet kishin mundësi që të sigurojnë të dhëna mbi përkatësinë etnike të këtyre personave, por këtë nuk e bënë dhe përgjegjësia për këtë dështim i takon pushtetit”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

 

Edhe partia “E Majta” nuk i njeh rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ndërsa akuzoi partitë në pushtet se kanë punuar në dëm të interesave kombëtare maqedonas.

Aleanca për Shqiptarët që është në opozitë thotë se regjistrimi nuk është i besueshëm. Edhe kjo parti ka dilema për 130 mijë qytetarët që nuk e kanë deklaruar përkatësinë etnike, ndërsa nuk beson as në numrin e të regjistruarve në diasporë, që sipas opozitës shqiptare nuk korrespondon me realitetin.

“Nuk mund të konsiderohet i suksesshëm një regjistrim kur rreth 8.5 për qind të popullatës së përgjithshme dhe asaj rezidente nuk i dihet përkatësia kombëtare. Jo i besueshëm është edhe numri prej 12 për qind i popullatës në mërgatë kur dihet fakti se shumë organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Eurostat-i në vazhdimësi kanë thënë se gati 30 për qind të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut e kanë braktisur vendin në dekadat e fundit”, ka deklaruar Halil Sponçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga Bullgaria lidhur me 3,504 bullgarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, bazuar në rezultatet e regjistrimit.

“Kam pritur gjithçka nga ky regjistrim. Jemi dëshmitarë të një falsifikimi brutal, edhe atë në vitin 2022 nga një shtet që pretendon të jetë anëtar i BE-së. Nuk mund të paramendoj një gjë të tillë kur kemi parasysh se të gjithë, si qytetarë të këtij shteti, synojmë sa më parë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Petar Kolev, përfaqësues i bullgarëve të Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Lidhjes Demokratike Qytetare.

 

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka deklaruar të enjten për mediat në Sofje se bullgarët nuk ishin të përfshirë në një grafë të posaçme, andaj edhe numri i tyre është i vogël. Ai tha se gjendja do të ndryshohet pasi bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Por, Slavi Trifunov i partisë “Ka një popull të tillë”, që është pjesë e Qeverisë bullgare, ka kërcënuar me bllokimin e integrimit evropian.

“Maqedonia e Veriut do të mbetet pjesë e Ballkanit Perëndimor nëse nuk iu mundëson qytetarëve që jetojnë në këtë vend, që lirshëm të shprehin identitetin e tyre kombëtar”, ka deklaruar Trifonov.

Ai në një reagim të publikuar në rrjetet sociale tha se është e absurde të mendohet se kaq bullgarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, kur, sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 16.692 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare.

Bullgaria beson se mbi 100 mijë shtetas të Maqedonisë kanë pasaporta bullgare.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>