Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, mbrëmë në Facebook ka përshëndetur marrëveshjen e arritur me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), për rritjen e pagave në arsim për 15% nga muaji shtator.
Kovaçevski shkruan se kjo rritje e pagave është më e madhe deri tani, dhe së bashku me rritjen prej 21% është mbështetja më e madhe për të punësuarit në arsim, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Vetëm deri para 5 viteve, rritja maksimale e pagave ishte 5%, pa kriza globale. Tani, në kushte të krizës së madhe ekonomike dhe energjetike, përkrah rritjes së madhe të numrit të të punësuarve në arsim, nëpërmjet marrëveshjes kolektive do t’u mundësohet harmonizimi me pagat minimale dhe përfitime tjera”.
“Njëkohësisht do të definohet metodologjia për rritje të vazhdueshme të pagave, e cila do ta mbrojë standardin e mësimdhënësve dhe do të mundësojë rritje të vazhdueshme të pagave pa nevojën e ndërhyrjes shtesë qeveritare, institucionale apo politike”, thotë Kovaçevski.
Telegrafi