Kriza politike në Maqedoni

ShkupiKriza politike që po zgjat më tepër se një vit, duket se po ndikon dhe në gjendjen ekonomike të Maqedonisë. Këtë shqetësim e shprehin njohës të rrethanave. Një ndër ta, kryetari i Akademisë së Shkencave, Taki Fiti, i cili thotë se disa herë radhazi ka lënë të kuptohet se në situata të këtilla nuk vijnë investitorët e huaj, konsumatorët nuk shpenzojnë dhe patjetër të ketë recesion.

Akademiku thotë se ka theksuar që më parë se parashikimet e një numri të madh analistësh ishin naive të cilët thonin se Maqedonia ka ekonomi vitale dhe se këto zhvillime politike nuk do të thonë asgjë në veçanti. “Por tash e shihni se ai optimizëm po zbehet dhe investitprët po bëhen pesimistë”, thotë zoti Fiti.

“Tash po vuan sektori real i ekonomisë dhe parashikimet për prodhimin bruto të vendit nuk po rezultojnë sipas planeve optimiste dhe nga 3,7 sa parashihej fillimisht shkalla e rritjes, tash mund të përfundojmë në 1,5 përqind nëse nuk zgjidhet sa më shpejtë kriza. Madje edhe kjo do të ishte mirë varësisht nga zhvillimi i mëtejmë i krizës”, shton ai.

“Kriza politike do të marrë tatimin e vet sa i përket ekonomisë”, shprehet kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Taki Fiti, i cili ka qenë ministër i Financave në vitet ’90 dhe profesor universitar, ndërkohë që shton se sistemi financiar i vendit vazhdon të jetë stabil, sepse 90 përqind e mjeteve të këtij sistemi i përket bankave komerciale.

Edhe ekspertë të tjerë, si ish-guvernatori I bankës popullore të Maqedonisë Petar Goshev vlerësojnë se Bankat janë në gjendje t’iu përgjigjen çdo moment klientëve të tyre në rast të kërkesave për tërheqjen e depozitave, por se kjo gjë do të ishte e dëmshme për ekonominë e përgjithshme.

Nga ana tjetër, Banka Popullore e Maqedonisë para pak ditësh mori vendim për shtrëngimin e politikës monetare. Sipas bankës, kjo masë është reagim ndaj rritjes së kërkesës për valuta te huaja.

Banka popullore bën të ditur se kërkesat për tërheqjen e kursimeve vazhdojnë të jenë të larta nga ajo që duhet të ishin në kushte normale. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>