Kryeministri maqedonas Zoran Zaev vjen të enjten në Uashington për një takim me Nënpresidentin amerikan Mike Pence. Sipas një njoftimi nga zyra e Kryeministrit Zaev, në axhendën e bisedimeve do të jenë edhe synimet e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Zyrarë të lartë amerikanë dhe evropianë kanë vizituar ditët e fundit Shkupin në prag të referendumit të 30 shtatorit, në të cilin pritet ndryshimi i emrit të këtij vendi ballkanik në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Qeveria amerikane ka shprehur shqetësime për mundësinë e përfshirjes ruse në përpjekjet për pengimin, përkatësisht bojkotimin e referendumit nga votuesit maqedonas.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, ishte të Shkup të hënën ku mes të tjerash zhvilloi bisedime me autoritetet shtetërore maqedonase për këtë çështje, ndërsa theksoi përkrahjen e fuqishme për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë.
Sektreari Mattis u shpreh në takime se Rusia edhe më parë është përfshirë në raste të tilla, që nga Estonia e deri tek Shtetet e Bashkuara, nga Ukraina dhe tani në Maqedoni. Por, kryeministri Zoran Zaev tha të marten se nuk kishte dëshmi për përzierjen ruse për sa i përket referendumit.
“Është e saktë se Rusia nuk është e lumtur me zgjerimin e NATO-s këtu në Republikën e Maqedonisë. Ajo nuk ka asgjë kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian me të gjithë Ballkanin Perëndimor, por në përgjithësi është kundër zgjerimit të NATO-s me Maqedoninë dhe këtë e ka komentuar në mënyrë publike. Unë them se nuk ka alternativë për qytetarët e Maqedonisë përveç integrimit të plotë në NATO dhe në BE”, tha zoti Zaev.
Por media në Shkup njofton për praninë e zyrtarëve rusë dhe përfshirjen e tyre për të bindur votuesit maqedonas që të mos dalin në rëferendum.
Referendumi shikohet si historik. Një rezultat pozitiv do të hapte rrugën që Maqedonia të bëhet anëtari i tridhjetë i Aleancës Veriatlantike dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. (voa)