Kryetarët e komunave duhet të ju përkushtohen standardeve të BE-së për mjedis jetësor në nivel lokal, u shpreh kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Samuel Žbogar, i cili mori pjesë në forumin “Decentralizimi përsëri në fokus”, që u hap sot në Strugë dhe do të vazhdojë edhe nesër.
Žbogar theksoi se konferenca zhvillohet në kohën e duhur, me pushtetet e reja lokale, sepse ato kanë rol kyç në zbatimin e reformave në nivel lokal.
“Bashkimi Evropian jep përkrahje për shërbime publike efikase dhe për cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve. Kryetarët e komunave duhet t’u përkushtohen standardeve të BE-së për mjedis jetësor në nivel lokal. BE-ja jep përkrahje të rëndësishme financiare, ndërsa komunat duhet t’i sigurojnë dokumentet e duhura për ndërtimin e infrastrukturës komunale dhe monitorim”, tha Žbogar dhe ftoi kryetarët e komunave të udhëhiqen nga cilësitë profesionale të administratave të tyre dhe jo nga revanshizmi.
Gjatë ditës së nesërme në Forum do të marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, në kuadër të seancës “Dialog me kryeministrin”. Forumi organizohet nga ana e UNDP-së në suaza të projektit “Përmirësimi i menaxhimit të komunave”, financiarisht e përkrahur nga BE-ja./Telegrafi/