Kur në vitin 1941 Xhemë Hasa 18 vjeçar vrau xhandarin serb në Simnicë të Gostivarit, i gjithë shteti serb u çua peshë. Pse?
Sepse Xhemë Hasa kishte thyer mitin e paprekshmërisë së xhandarit e me këtë edhe të shtetit serb. Dhe kur serbët në vitin 1945 u rikthyen në këto territore duke themeluar shtetin serb të “Maqedonisë” ata e vranë Xhemë Hasën, dhe ekspozuan kokën e tij të prerë, duke tentuar të rivendosin këtë mit të paprekshmërisë së shtetit serb.
Para pak ditësh, ndodhi e kundërta – ministri i Mickosvkit për Punë të Brendshme e dënoi xhandarin (policin) me “internim” si roje kufiri, vetëm sepse kishte guxuar të shkruante gjobë për tejkalim shpejtësie djalit të Bilall Kasamit në Tetovë.
E kuptoni se sa i rëndësishëm është Bilall Kasami për shërbimet e sigurimit shtetëror “maqedonas”!? E kuptoni sa të rëndësishëm janë Bilall Kasami dhe përfaqësuesit e tjerë politik shqiptar për shtetin e Mickovskit? Pse? Sepse, siç e thonë edhe ata vet me plotë gojë, e mbrojnë atë nga destabilizimi.
Por kush janë kërcënimi për stabilitetin e shtetit të “Maqedonisë së Veriut”? Dihet – shqiptarët.
Ishte lufta e UÇK-së në vitin 2001, kur për herë të dytë, dhe të fundit, u thye miti i paprekshmërisë së policit/xhandarit serb/maqedonas. Por këtë nuk e bënë individët si Artan Grubi, Izet Mexhiti, Bujar Osmani, Bilall Kasami… bashkëpunëtorë të Sasho Mihajllkovit, të cilët Ali Ahmeti grumbulloi me shumicë rreth vetes dhe ua dorëzoi partinë.
E bënë ata që sot duhet ta pastrojnë BDI-në nga këto mbeturina të UDB-së dhe ta kthejnë dinjitetin e shqiptarëve të fituar me luftë, sakrificë dhe gjak!
Deri atëherë ruani veten dhe fëmijët tuaj që mos ju shtypi me makinë djali i Bilall Kasamit – se ai në burg nuk shkon.
Afrim Fanda