Debati në Kuvendin e Maqedonisë për zgjedhjen e Qeverisë së re po përcillet me polemika të shumta mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare, e cila akuzon LSDM-në dhe partitë shqiptare, që do të jenë pjesë e ekzekutivit, për shkelje të rregullores lidhur me drejtimin e seancës, por edhe për programin e ekzekutivit të mandatarit, Zoran Zaev.
Deputetët e partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, në fjalimet e tyre thanë se LSDM-ja që në seancën e sotme ka nisur me realizimin e siç theksojnë “Platformës së Tiranës”, pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi – të cilin nuk e njohin në këtë post, por vetëm si deputet -seancën e ka nisur në gjuhën shqipe.
“Gjuhë zyrtare në Kuvendin e Maqedonisë është gjuha maqedonase. Në pikën tjetër të rregullores thuhet se deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja mund të flas në gjuhën e tij, por jo edhe të drejtojë seancën plenare të Kuvendit. Këtë rregullore duhet ta respektoni deri sa të miratoni ndryshimet për të cilat jeni marrë vesh me LSDM-së”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ua ka bërë me dije deputetëve të VMRO-së se nëse nuk e njohin si kryetar Kuvendi, atëherë ai atyre do tu drejtohet në gjuhën shqipe, ashtu siç i jep rregullorja të drejtën një deputeti të flas në gjuhën e tij amtare.
“Nëse vazhdoni të më drejtoheni si deputeti Talat Xhaferi, atëherë në bazë të rregullores dhe ligjit për gjuhët, deputeti Talat Xhaferi ka të drejtë të përdor gjuhën e tij dhe juve t’ju drejtohet në gjuhën e tij amtare”, deklaroi kryetari i Kuvendit, i cili nisjen e drejtimit të seancën në gjuhën shqipe e kishte arsyetuar me nevojën e zgjidhjes së problemit me përdorimin e gjuhës shqipe në Kuvend.
“Punimet e kësaj seance deri në miratimin e ligjit për gjuhët do t’i vazhdoj në gjuhën maqedonase dhe kjo të jetë një pikënisje e re e punës së përbërjes së re parlamentare”, ka deklaruar Talat Xhaferi.
Ndërkohë, polemika janë zhvilluar edhe për programin e Qeverisë, të cilin VMRO-ja e ka krahasuar me dëshirat e “Babagjyshit të Vitit të Ri”.
Deputeti Ilija Dimovski tha se tolerohet që në fushatë zgjedhore partitë të japin edhe premtime të parealizueshme, por që kjo të bëhet nga një mandatar dhe ato të jenë pjesë e programit të Qeverisë është e papranueshme.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, gjithashtu foli, edhe për siç tha, shkeljen e vullnetit të qytetarëve për shkak të vendimit që VMRO-DPMNE edhe pse fituese e zgjedhjeve të mbetet në opozitë.
“Shpresoj se faktorët politike LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, janë të vetëdijshme për këtë fakt dhe se janë të gatshme që të marrin përgjegjësitë që janë apo që pritet të jenë nga vendimi që partia fituese e zgjedhjeve të mbetet në opozitë”, tha Dimovski duke shtuar se programi i Qeverisë përveç varfërimit të vendit dhe rrënimit të stabilitetit ekonomik dhe të sigurisë, nuk ofron asgjë tjetër.
Por, ndryshe nga ai, mandatari Zoran Zaev në ekspozenë e tij tha se programi i Qeverisë ofron jetë për çdo qytetarë, ndërsa theksoi disa nga shtyllat mbi të cilat do të mbështetet puna e Qeverisë si, ekonomia, sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve si dhe integrimi i vendit në NATO dhe BE.
“Maqedoninë do ta orientojmë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-së. NATO dhe BE janë interesa strategjike për Maqedoninë. Obligohemi që në tërësi të zbatojmë reformat urgjente me prioritet….Qeveria do të angazhohet për një sistem të ri të pavarur të drejtësisë. Qytetarët meritojnë gjykata dhe prokurori profesionale, të pavarura, të sinqerta dhe të përgatitura mirë. Do të rrisim pagat, do të ulim tatimet, do të ketë jetë më të mirë”, deklaroi Zaev duke përmendur edhe gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje për përdorimin e drejtë të gjuhëve të bashkësive etnike, që edhe ishte një nga debatet kryesore para formimit të shumicës së re parlamentare.
Në bazë të Kushtetutës dhe rregullores mbi punën e Kuvendit ,debati për miratimin e Qeverisë mund të zgjasë më së shumti 48 orë. Ajo votohet me 61 deputet nga 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë. Partitë e shumicës parlamentare që formojnë Qeverinë kanë 62 deputet, apo vetëm një më shumë se numri i nevojshëm për miratimin e saj. (rel)