Si duket Lëvizja BESA ka dhënë “besën” LSDM-së dhe BDI-së!
“Lëvizja BESA njofton opinionin se Koalicioni Qeveritar është stabile edhe përkundër se në disa vende, në rrethin e dytë, garojmë mes veti. Shumica qeveritare është stabile dhe është duke punuar në interes të qytetarëve. Progresi i vendit është qëllimi ynë i përbashkët. Lëvizja BESA është pjesë e shumicës stabile qeveritare” – theksohet në komunikatën e kësaj partie.
Lëvizja BESA përmes një komunikate njoftoi se në rrethin e parë të zgjedhjeve arriti t`i realizojë synimet e Shtabit Zgjedhor partiak dhe se në rrethin e dytë hyjnë si favoritë absolut në Komunat e Tetovës dhe Zhelinës.
Përndryshe në balotazh në Tetovë janë dy partitë partnere të koalicionit me LSDM-në: BDI (që ka 15 deputetë) me 11.138 vota dhe BESA (që ka 4 deputetë, po aq sa ka edhe Alternativa që është në koalicion me ASH) me 10.496 vota.
Sipas disa vlerësimeve, Lëvizja Besa nuk guxon të “hidhëroje” LSDM-në dhe BDI-në, nga frika, se mos ia zënë vendin në qeveri – Alternativa, e cila ka po aq deputet sa edhe vetë Lëvizja Besa.
Duke pasur parasysh të kaluarën, pritet që të kemi pazare dhe kombinime nga më të ndryshmet, pa respektuar asnjë kriter moral, me të vetmin synim – për të zhvatur edhe për 4 vite të ardhshme Komunën e Tetovës, kush më pak e kush më shumë.