Formohet Lëvizje e re shqiptare, kërkohet federalizim i Maqedonisë

unitetiTe shtunën, në Tetovë, një numër i shoqatave të pavarura shqiptare dhe aktivistëve civil, nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi, nënshkruan bashkërisht, Aktin themeltar te  Lëvizjes, UNITETI, raporton “lajmpress”. Ja çka thuhet në kumtesën e lëshuar pas themelimit të kësaj lëvizje, ku si një ndër kërkesat kryesore përmendet federalizmi i Maqedonisë:

Çështja jonë kombëtare gjendet para sfidave të mëdha, sidomos atyre integruese ndërshqiptare dhe euroatlantike, në përballjen me të cilat klasa politike shqiptare ka shfaqur dhe shfaq mungesë përgjegjshmërie dhe pamaturi politike.

Në këto kushte dhe me qëllim që t’i jepet më shumë zë dhe më shumë peshë opinionit publik për problemet kombëtare, del domosdoshmëri krijimi i një organizmi, bashkimi vullnetar dhe civil që do shërbejë, sa si zë origjinal e autokton i popullit të pakrahë, ashtu edhe si korrektor i pozitës dhe opozitës shqiptare bashkë.

Shqiptarët bashkë

Në funksion të realizimit të idesë për bashkimin e organizatave, aktivistëve dhe intelektualëve të pavarur shqiptarë në IRJ të Maqedonisë, të shtunën, datë 20 qershor 2015, në Tetovë, u nënshkrua nga përfaqësues të Shoqatave të pranishme, Akti themeltar i Lëvizjes Civile, “UNITETI”. Nënshkruesit vinin nga qytete të ndryshme të vëndit, nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi.

Si pikë kryesore programore e Lëvizjes civile, UNITETI, është bashkimi i potencialit tonë intelektual e atdhetar për të ndikuar në politikëbërjen, për të kontribuuar në arritjen e barazisë nacionale dhe ekonomike sociale midis të shqiptarëve dhe maqedonasve në IRJM.

Objektivat kryesore të Lëvizjes civile, UNITETI janë:

Mbrojtja e historisë, e traditave, e gjuhës shqipe, e kulturës, e të drejtave ekonomike-sociale e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në të gjitha regjionet e IRJM-së.

Riorganizimi kushtetues sipas të cilit vendi shpallet Republikë e dy Kombeve të barabarta dhe konstitutive, të numëruara taksativisht në aktin më të lartë politik dhe juridik, Kushtetutë, pra maqedonas dhe shqiptarë

Ndarja fikse e buxhetit me kuota proporcionale të përcaktuara qartë në Kushtetutë

Federalizimi territorial i vendit ose federalizimi asimetrik, me Kryeqytetin e vendit si njësi e veçantë administrative (Modeli boshnjak, belg, zviceran)

Lëvizja do të zhvillojë një punë dhe aktivitet konkret në ndihmë të komunitetit tonë të diskriminuar sa nga regjimi maqedonas aq edhe nga përfaqësuesit tanë në pushtet.

Njëherit.

Lëvizja civile, UNITETI, fton gjithë shoqatat e mirëfillta të pavarura nacionale shqiptare në IRJ të Maqedonisë, intelektualët e pavarur, njerëzit vullnetmirë dhe aktivistët e pavarur, të bashkangjitet kësaj iniciative civile për mbrojtjen e shqiptarëve këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>