LSDM e BDI shpallin fitoren në zgjedhjet komunale

zgjedhjetLidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim po festojnë fitoren pas balotazhit të së dielës në zgjedhjet vendore.

BDI-ja shpalli fitoren e kandidatëve të saj për kryetarë komunash në Tetovë, Strugë, Çair, Dibër të madhe, Likovë, Tearcë, Dollnen, ndërsa në raundin e parë fitoi Kërçovën dhe Pllasnicën, një komunë të vogël pranë Kërçovës.

Aleanca për Shqiptarët ka fituar Gostivarin dhe komunat rurale të Zhelinës, Bogovinës e Vrapçishtës në perëndim të Maqedonisë.

Lëvizja “Besa” e cila ishte në koalicion balotazhi me Aleancën për Shqiptarët është ankuar për një sërë parregullsish dhe incidentesh në proces. Kryetari i saj, Bilall Kasami garonte për kreun e Tetovës, ku Teuta Arifi e BDI-së me përkrahësit po festojnë tashmë fitoren.

Partia Demokratike Shqiptare ka arritur ta mbajë komunën e Stundeniçanit, në jug të Shkupit.

Ndërkaq, Lidhja Social Demokrate ka fituar edhe tre komuna në kuadër të qytetit të Shkupit duke marrë kështu shumicën dërrmuese të 81 komunave sa ka Maqedonia.

Por, partia opozitare VMRO-DPMNE nuk i njeh këto zgjedhje. Kryetari i saj Nikolla Gruevski u tha medieve kishte pasur një mori parregullsish në zgjedhje dhe se Komiteti Ekzekutiv i partisë ka vendosur të mos i njohë fare zgjedhjet. Ai vuri disa kushte, si: organizimi nga një qeveri teknike i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërrimi i drejtorit të Agjencisë së shërbimeve audio-vizive, dorëheqja e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të dy institucionet t’i drejtojnë kuadro të VMRO-së, hetime për pretendimin e përgjimeve të paligjshme të funksionarëve të saj nga shërbimi i sigurimit, lirimin pa kusht të personave të paraburgosur dhe të akuzuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në parlamentin e vendit dhe kushte të tjera.

Këto zgjedhje të politizuara kanë zgjuar interes edhe ne Bruksel dhe mbarëvajtja e tyre pritet ta diktojë rrugën e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Balotazhin e ndoqën 470 vëzhgues të huaj, të misionit ODIHR të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të Asambleve të disa organizatave evropiane dhe nga ambasadat perëndimore në Shkup si dhe mbi pesë mijë vëzhgues vendas, të organizatave joqeveritare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet t’i shpallë të hënën rezultatet e para. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>