LSDM kthehet në Kuvend, Zaev: Në zgjedhje vetëm nëse respektohet marrëveshja

zaevLSDM-ja opozitare filloi implementimin e marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut, duke u kthyer në ulëset parlamentare. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev theksoi se vendimi për tu kthyer vjen si rezultat i marrëveshjes politike, me të cilën Gruevski pranoi të gjitha kërkesat e opozitës, duke filluar nga dorëheqja e tij, qeveria kalimtare dhe prokurori special. Megjithatë, nëse nuk realizohet ajo që është firmosur në letër, Zaev paralajmëroi rishikimin, jo vetëm të pjesëmarrjes së opozitës në punën e Kuvendit, por edhe në zgjedhjet e parashikuara për më 24 prill.

“Obligimi i parë është prokurori publik deri më 15 shtator. Duhet patjetër të realizohet, në të kundërtën marrëveshja nuk do të jetë e vlefshme. Materialet që i posedojmë nga përgjimi i pushtetit, nuk do të kemi ku t’i dorëzojmë, dhe do ta kemi patjetër të vazhdojmë publikimin e tyre në opinion. Nuk do të ketë më “paloma marrëveshje”. Drejtësia, liria, demokracia, e vërteta, duhet të konfirmohen institucionalisht”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kryeministri Gruevski nuk i komentoi kërcënimet e opozitës, por theksoi se do të bëjnë gjithçka për respektimin e marrëveshjes.

“Ne gjithë kohën mundohemi që punët të kryhen ashtu siç jemi marrë vesh”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së nga ana tjetër përshëndeti kthimin e LSDM-së në Kuvend, por kritikoi mungesën e tyre prej 15 muajsh, për të cilat deputetët opozitarë kanë marrë paga.

“Deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit tonë për Maqedoni më të mirë, por edhe deputetët e tjerë të grupeve parlamentare të BDI-së, PDSH-së dhe deputetëve të pavarur, vitin e kaluar kishim punë intensive dhe të frytshme. Të gjithë këta rreth 90 deputetë ishin në nivel të detyrës që na dhanë qytetarët. Të gjithë këta deputetë nuk lejuan të shkelet dinjiteti dhe kredibiliteti i tyre, të mos vijnë në punë e të marrin rrogë”, u shpreh Ilija Dimovski, koordinator i grupit parlamentar VMRO.

VMRO akuzon gjithashtu se derisa LSDM-ja kërkonte publikisht verifikimin e dorëheqjeve të deputetëve të tyre, në bisedime të mbyllura sipas Dimovskit lusnin që të mos u merren mandatet. Por, këto akuza u përgënjeshtruan nga kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Ai përgënjeshtroi edhe zërat për takime të fshehta me përfaqësues qeveritarë, ku sipas disa mediave i është kërkuar marrëveshje që prokurori publik të mos ngrejë akuza deri në zgjedhje. Zaev tha se oferta të tilla janë të panegociushme dhe se pret që deri në fund të vitit, prokurorit special të ngritë padi për funksionarët e përfshirë në krime dhe shpërdorime. Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>