Debati mbi projekt-ligjin për pakicat kombëtare, ka hasur kundërshtitë e tij nga Bullgaria. Përfaqësia diplomatike e Sofjes i është drejtuar zyrtarisht me një email Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon të jetë pjesë e tryezës së diskutimit që do të mbahet të martën.
Kërkesë kjo, e cila është pranuar dhe dy përfaqësues të Ambasadës Bullgare do të jenë në atë tryezë.
Në krah të tyre dhe dy shoqata që pretendojnë ekzistencën e minoritetit bullgar në Shqipëri. Por referuar Censusit të vitit 2011, nuk figuron asnjë shtetas i regjistruar me prejardhje Bullgare, por janë 5512 me prejardhje maqedonase.
E duket se ky është dhe fakti që ka vënë në alarm Sofjen zyrtare, e cila ka nisur menjëherë ofensivën e saj diplomatike, për të përfshirë dhe bullgarët, në listën e 8 pakicave kombëtare që njihen në Shqipëri nga ky projekt-ligj. Por vetë deklarimi është faktor kryesor për përcaktimin e ri ligjor të atij që do njihet si minoritet.
“Në rast se i referohemi pakicave, të cilat listohen në ligj, mund të thuhet me kompetencë që këto janë pakica që kanë dalë nga kombinimi i dy kritereve apo i dy aspekteve që unë sapo përmenda. Pra, i vetë-deklarimit, i aspektit subjektiv dhe i anës objektive të punës që bëjnë institucionet për verifikimin e asaj ç’ka deklarohet”, u shpreh Ditmir Bushati.
Nuk dihet se çfarë mund të kërkojnë bullgaria dhe dy shoqatat ekzistuese që pretendojnë pakicë bullgare në Shqipëri. Tashmë censusi është një fakt i kryer. Verifikimi do të përbënte një kosto të lartë për qeverinë, pa folur për komplikimet, sidomos me shtetin fqinj te Maqedonisë.
Por nga ana tjetër në një janar bullgaria merr presidencën e bashkimit evropian. Për Shqipërinë që kërkon negociata në qershor, kjo është tashmë një dhimbje koke shtesë.
/ Top Channel