Maqedoni e Veriut: Bllokim i punës së Kuvendit

Parlamenti MKShumica e brishtë parlamentare dhe mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit së fundmi ka penguar miratimin e 68 ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Partitë opozitare shqiptare ASH-Alternativa kanë vendosur që me qindra e mijëra amandamente të vazhdojnë të pengojnë miratimin e ligjeve, pasi insistojnë për dakordim me shumicën rreth propozim ligjit të tyre për shtetësi. Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit opozitar Skender Rexhepi-Zejdi thotë se opozita është e interesuar  që të zgjidhet bllokada e punës së Kuvendit por me një marrëveshje të përbashkët. Nuk është me rëndësi mënyra dhe nga kush zgjidhet bllokada, por se qenësore për ata është që qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre për shtetësi, thotë Rexhepi.

“Për ne është me rëndësi të zgjidhet çështja e shtetësisë, kjo mund të bëhet me marrëveshje në kuadër të Kuvendit, por mund të bëhet edhe më takim liderësh. Për ne është me rëndësi që qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre për shtetësi”, thotë Rexhepi.

Integristët të interesuar për zhbllokimin e Kuvendit

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është shprehur i gatshëm të ulet dhe të bëjë kompromis me opozitën shqiptare për ta debllokuar punën e Kuvendit. Sipas tij shumica parlamentare është stabile, Kuvendi po funksionon, por ka disa ligje që janë bllokuar në komisione të cilat drejtohen nga opozita.

“Shumica parlamentare është stabile nuk ka asnjë shqetësim. Disa ligje janë bllokuar në komisione të cilat drejtohen nga opozita, kjo nuk është mirë, ligjet duhet të miratohen. Ne jemi të hapur, në demokraci postulat kryesor është negociata, kompromisi, dialogimi, asnjëherë nuk i shmangemi këtij postulati”, është shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zaev: Nëse është nevoja do të zhvillojë takim liderësh

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka shprehur gatishmëri për mbajtjen e një takimi të liderëve të partive parlamentare. Përveç partive në opozitë, ai ka thënë se është i gatshëm të ulet edhe me partitë më të vogla të përfaqësuara në Kuvend për të tejkaluar të gjitha dallimet dhe mosmarrëveshjet.

“Amendamentet e opozitës kanë bllokuar punimet e Kuvendit. Kuvendi është vend ku duhet të bisedohet dhe zgjidhen mosmarrëveshjet, në rast se ka nevojë për takim liderësh edhe atë do ta bëj, do të thërrasë takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase edhe me opozitën shqiptare. Bllokimi i Kuvendit dëmton interesat e qytetarëve, këtë nuk duhet ta lejojmë”, është shprehur kryeministri Zaev.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela e kundërshton takimin e liderëve, sipas tij zhbllokimi i ligjeve do të bëhet vetëm në rast se zhbllokohet ligji për shtetësi.

“Nuk mendoj se ka nevojë për takim liderësh. Nuk e di pse duhet të ketë nevojë për një gjë të tillë. Le të hiqet bllokimi për ligjin për shtetësi , atëherë edhe ne e bëjmë të njëjtën”, ka thënë Sela…

dw

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>