Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në javën e fundit. Më 12 korrik në mesnatë i jepet fund fushatës në zgjedhjet e para në kohë pandemie.
Partitë politike intensivisht po zhvillojnë tubimet, takime dhe prezantime me qytetarët ku po shpalosin platformat e programeve të tyre duke kërkuar votën e qytetarëve përmes ofertës së tyre politike se si e planifikojnë qeverisjen e vendit dhe menaxhimin e situatës me pandeminë. Gjatë fushatës u ofrua pothuajse gjithçka, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, investime, rritje pagash, pensione për të papunët, ulje taksash e shumë e shumë premtime të tjera por shumë pak u sqarua se si mund të realizohen këto premtime.
LSDM: Nëse fitojmë do të përqëndrohemi në prosperitetin ekonomik
Fokusi kryesor në punën e qeverisë të udhëhequr nga LSDM do të jetë pikërisht ndërtimi i infrastrukturës cilësore që do të sjellë përfitime afatgjata, zhvillim të ekonomisë për të gjithë qytetarët në vend, hapje të vendeve të reja të punës, premton kryetari i LSDM-së Zoran Zaev.
“Kemi mbi një mijë projekte në të gjitha sferat e jetë, si në ekonomi, arsim, investime e projekte të ndryshme infrastrukturore. Rritje të rrogës mesatare deri në 550 euro, rritje të pagës minimale, rritje të pensioneve, ulje të tatimeve”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kandidati i mundshëm i kësaj partie për kryeministër.
VMRO-DPMNE: Ofrojmë rimëkëmbje të shtetit
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski vazhdoi akuzat për tradhëti kombëtare ndaj kreut të LSDM-së Zoran Zaev. Sipas tij qeverisja e LSDM-së ka dëmtuar rëndë simbolet e shtetit dhe tani ka për qëllim të realizojë federalizimin e Maqedonisë. VMRO-DPMNE-ja për gjendjen e rëndë ka fajësuar pushtetin aktual duke ofruar ndërkohë rimëkëmbje të shtetit.
“Programi për rimëkëmbje do të mundësojë rritje të pagës mesatare për 25 me qind, të pensioneve me 20 për qind, ulje të papunësisë nën 10 për qind, zero përqind taksë mbi të ardhurat për të rinjtë deri në 29 vjeç. Programi ekonomik do të rrisë prodhimin bruto vendas për më shumë se 4 për qind në vit”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
BDI: Është koha që kryeministri të jetë shqiptar
Bashkimi Demokratik për Integrim-BDI në këtë fushatë ka dalë me idenë që qeveria e ardhshme e Maqedonisë së Veriut të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. Kryetari i integristëve Ali Ahmeti shpjegon se si mund të arrihet kjo.
“Qeveritë ndërtohen mbi bazë të marrëveshjeve, programeve zgjedhore. Qeveritë në Maqedoninë e Veriut janë qeveri politike ku ulen dhe diskutojnë partitë për formimin e vendit. Kemi shumë raste, jo vetëm këtu në rajon, në Ballkan, por edhe në Evropë që kryeministër i vendit zgjidhet nga një parti që ka më pak mandate”,vlerëson kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
ASH-A: Tash është koha për ndryshime
Aleanca për Shiptarët dhe Alternativa në këtë fushatë po konkurojnë në koalicion parazgjedhor nën moton “Tash është koha”. Kryetari i Aleancës Zijadin Sela ka thënë se motivi i tyre politik është t’i mbajnë shqiptarët në vend dhe t’i avancojnë ata në pozitat e merituara shtetërore.
“Motivi ynë kryesorë në këto zgjedhje është ta mbajmë shqiptarin këtu.Ta kthejmë shqiptarin që ka ikur, sepse sot ky është akti më i lartë patriotik. Jemi të vetëdijshme se asnjë shqiptar nuk do të largohet nga puna, nuk do të ndodhë kjo. Ia kemi dhënë shpresën. Ju do të avancoheni”, ka thënë Ziadin Sela Kryetar i ASH-së.
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi vlerëson se koalicioni “Tash është koha” i bashkon shqiptarët. Ai premtoi uljen e papunësisë dhe rritjen e rrogave.
“Po futemi në fundin e kësaj fushate, po i afrohemi një udhëkryqi, duhet t’i ftojmë të afërmit tonë që ta bëjmë kthesën e madhe të 15 korrikut. Gjithësecili që ka gjak shqiptari duhet ta mbështes këtë koalicion”, ka thënë Gashi.
Analistët thonë se deri më tani fushata ka qenë e qetë, e brishtë dhe me mungesë të sqarimeve plotësuese se si do të realizohen premtimet.
voa