Viti i ri shkollor 2020/21 nisi në Maqedoninë e Veriut me një muaj vonesë për shkak të gjendjes së krijuar me COVID-19.
Ministrja e Arsimit Milla Carvoska thotë se ky vit do të jetë përplot me sfida prandaj kërkoi mbështetjen e nxënësve dhe të punonjësve të arsimit. Carovska ka thënë se mësimi me pranni fizike do t’u lejohet 600 shkollave fillore dhe të mesme, ndërkohë që pjesa tjetër do ta ndjekë mësimin nga distanca.
“Ne duhet të krijojmë më shumë qetësi në këtë proces, të japim mbështetje, sepse çdo stres shtesë do të na çojë drejt një perceptimi dhe ankthi të gabuar tek të dashurit fëmijë. Kjo është një situatë kur po ballafaqohemi me risi. Çdo ndryshim është i vështirë. Unë nuk shoh arsye për të mos pasur një vit të suksesshëm shkollor”, tha Carovska.
Shumë nxënës nuk kanë mundësi teknike për mësim online
Mësimdhënësit dhe nxënësit që në ditën e parë të vitit shkollor kanë hasur në probleme të vazhdueshme për të hyrë në platformën kombëtare për mësim nga distanca. Mësimin nga distanca pritet ta ndjekin 260 mijë nxënës dhe 25 mijë mësimdhënës, ndërsa rreth 40 mijë nxënës mbeten jashtë mësimit online për shkak se nuk kanë pajisjet e duhura.
“Jam skeptik, kyçja e nxënësve në platformën kombëtare për mësim në distancë është problem. Shumica e prindërve nuk kanë pajisje adekuate për mësimin online, kështu që do të jetë problem”, thotë Riza Etemi, drejtor i shkollës fillore “Migjeni” në Tetovë.
Mësim online do të zhvillohet edhe në të gjitha shkolla e mesme. Leje për mësim me prani fizike kanë marrë 160 shkolla dhe 147 prej tyre janë në zonat rajonale, pra atje ku ka shumë pak nxënës dhe ku numri i të infektuarve me koronavirusin e ri është i ulët. Leje kanë marrë edhe shkollat me nxënës me aftësi të kufizuara si dhe disa shkolla private.
Unioni i shkollave të mesme paralajmëron bojkotim të mësimit
Unioni i Shkollave të Mesme më parë kishte paralajmëruar bojkotimin e mësimit nga 1 tetori, por për të mos çrregulluar gjithë sistemin arsimor, ka vendosur që në muajin tetor mësimi të zhvillohet nga distanca dhe në rast se gjendja epidemiologjike mbetet e njëjtë, atëherë nga nëntori mësimi të zhvillohet me prani fizike. Nëse kjo kërkesë refuzohet, atëherë do të shqyrtohen mundësia e bojkotit të mësimit.
“Gjatë muajit tetor ne do të shohim se si do të jetë gjendja epidemiologjike dhe në rast se do të jetë stabile, ultimatumi i unionit ndaj qeverisë do të jetë që më 1 nëntor gradualisht nxënësit të rikthehen në shkollë sipas modelit që ne e kemi përpiluar”, deklaroi Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Shkollave të Mesme.
Zaev: Do të bëjmë gjithçka për një vitë të mbarë shkollor
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se ky vit shkollor nuk është si asnjë nga të mëparshmit. Për shkak të koronavirusit në shkolla do të zbatohen masa për mbrojtje për shëndetin e fëmijëve dhe të arsimtarëve. Le të jemi solidarë dhe të tregojmë mirëkuptim në këtë proces ka thënë Zaev.
“Për herë të parë në vend po krijohet një sistem kaq i vështirë online andaj do të bëhen përpjekje maksimale për ta zbatuar atë pa ose me problemet më të pakta të mundshme që do të tejkalohen vazhdimisht. Do të bëjmë gjithçka brenda mundësive, aftësive dhe kapaciteteve tona si shtet, për të mos lënë asnjë fëmijë të vetëm të mos e fillojë vitin shkollor”, tha Zoran Zaev.
Përveç mësimit me prani fizike dhe mësimit në distancë, nga 1 tetori mësimi për nxënësit e shkollave fillore do të transmetohet edhe në Radio-Televizionin e Maqedonisë.
dw