Gjykata e Kumanovës i caktoi dënimin me gjashtë vjet burg të akuzuarit Boban Iliç për rastin e katër vjeçarit Almir Aliu, i cili vdiq si pasojë e shtypjes me makinë nga i akuzuari Iliç. Ky vendim i gjykatës ka shkaktuar mjaft reagime tek avokatët e familjes Aliu, të cilët këmbëngulnin se ekzistojnë dëshmi për vrasje të qëllimshme të fëmjës. Ndërkohë, edhe babai dhe xhaxhai i viktimës u dënuan me nga 6 deri në 9 muaj burg për shkak të përfshirjes në dhunë.
Masa e dënimit prej vetëm gjashtë vjetësh heqje lirie për Boban Iliçin e akuzuar për aksident trafiku me pasoja në njerëz në Kumanovë, ka habitur familjen e viktimës katërvjeçar, Almir Aliu dhe avokatët e saj.
Iliç kishte shtypur me makinë Almirin pas një zënke verbale që kishte pasur me babain e tij para një viti e gjysmë. Në një prej videoregjistrimeve të publikuara në internet duket se si makina me shpejtësi të madhe në një rrugë të ngushtë godet bashkëshortët Aliu dhe fëmijën e tyre katër vjeç.
Prokuroria e Kumanovës, fillimisht e akuzonte autorin e krimit për vrasje me paramendim, por më pas e rikualifikoi akuzën në “aksident të rëndë trafiku me pasoja në njerëz”.
Ky vendim i prokurorisë pati shkaktuar mjaft revoltë dhe protesta, madje mori dhe dimensione politike. Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim dha dorëheqje “për shkak se besimi në gjyqësor po lëkundej”, siç qe shprehur ai.
Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq duke folur për gazetarët pas shpalljes së verdiktit e quajti rastin të montuar:
“Është turp të jepet një dënim prej gashtë vjetësh për një vepër të rëndë. Gjykata nuk i mori parasysh rrethanat që rëndonin të akuzuarin për shkaktimiin e humbjes së jetës së fëmijës katër vjeç, madje mori guximin të dënojë babain, xhaxhain dhe një kushëri të Almirit të vogël”, tha avokati.
Familja Aliu do ta apelojë vendimin e gjykatës së Kumanovës.
Ndërkaq, një numër ekspertësh ligjorë mendojnë se prokuroria dhe gjykata mund të kishin pasur trysni për këtë rast. Nga ana tjetër, gjyqësori në Maqedoni, në bazë të shumë raporteve ndërkombëtare, vazhdon të cilësohet i korruptuar dhe i pareformuar.