Maqedoni, heshtje para referendumit të 30 shtatorit

qendrimi yt e drejta yteSot në Maqedoni është heshtje para referendumit të së dielës dhe subjektet politike dhe mediat po e respektojnë këtë masë ligjore.

Rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj janë akredituar për ta ndjekur procesin.

Maqedonia ka një elektorat prej 1.8 milionë votuesish; një shifër kjo që ka qenë e dabatueshme prej vitesh, pasi ky shtet i vogël ballkanik vetë ka pak mbi dy milionë banorë. Censusi i fundit është bërë në vitin 2002; ai i vitit 2011 dështoi për shkak të ndërhyrjes së politikës, lidhur me të cilin po zhvillohet një proces gjyqësor.

Fushata e zhvilluar ka qenë në suaza të pritjeve; partitë e pushtetit kanë mbajtur takime me qytetarë por jo mitingje të mëdha dhe janë angazhuar në një fushatë mediatike ku kanë shpalosur përparësitë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, për çka duhet të vendosin votuesit në referendum.

Edhe partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, si Aleanca për Shqiptarët, e njëri krah i Lëvizjes “Besa” janë hedhur në fushatë duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në referndum dhe të votojnë pro pyetjes së shtruar aty.

Megjithatë opozita shqiptare, e vogël në numër, me vetëm 4 deputetë në parlament nga 120 vende gjithësej, kërkon që pas referendumit kur të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët e Maqedonisë të figurojnë si element kushtetues në preambulë e jo siç është aktualisht: “pjesëtarë të një komuniteti që përbën të paktën 20 për qind të popullatës së vendit”.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e referendumit kanë dërguar mesazhe për injorimin apo bojkotin e tij sepse preken, sipas tyre, interesat kombëtare dhe vetë identiteti dhe gjuha maqedonase.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, ndonëse nuk ka bërë thirrje direkte zyrtare për bojkotin e referendumit, sic duket për shkak të mosmarrëveshjeve brenda strukturave drejtuese, ua ka bërë me dije qoftë përmes medias apo rrjeteve sociale përkrahësve të saj se nuk duhet dalë në referendum për shkak të arësyeve të lartpërmendura.

Ndërkohë, presidenti Gjorgje Ivanov, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë për emrin, bëri thirrje të hapur dje nga foltorja e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku mbajti një fjalim, për bojkotin e referendumit.

Sipas tij, Greqia do të ketë një pozitë superiore dhe mbikqyrëse ndaj ndryshimeve që duhet të pasojnë në Repubikën e Maqedonisë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës.

Unë si qytetar kam marrë tashmë vendimin tim: më 30 shtator nuk do të dal të votoj. Besoj që edhe ju bashkëqytetarë të mi do të merrni një vendim të mençur”, tha presidenti Ivanov, duke shkaktuar nga ana tjetër një revoltë tek një pjesë e mirë e faktorë politikë dhe të popullatës në Maqedoni, megjithëse nga fjalimi i tij nuk pritej ndonjë qasje më pozitive.

Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar pret një rezultat të suksesshëm në referendum. Drejtues e zyrtarë të lartë perëndimorë qëndruan në javët e fundit në Shkup për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti i vetëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Në referendum duhet të dalë më tepër se gjysma e elektoratit që i bie pak mbi 900 mijë dhe një votë më tepër se gjysma e tyre të deklarohen pro pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, që referendumi të shpallet i suksesshëm. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>