Në Maqedoni, pas referendumit të pasuksesshëm priten përpjekje për një konsensus për ndryshime kushtetuese për ta miratuar emrin e ri të vendit në bazë të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Por, opozita maqedonase aktualisht nuk ka treguar shenja se do të përkrahte ndryshimin e kushtetutës. Ndërkaq, analisti Albert Musliu numrin e madh të votave pro ndryshimit të emrit në referednum, e shikon si një mbështetje për partitë në pushtet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.
Çështja e ndryshimeve kushtetuese lidhur me ndryshimin e emrit të vendit ka një afat prej dhjetë ditësh për t’u hapur, sipas dispozitave ligjore, por partitë e shumicës parlamentare nuk e kanë shumicën e kualifikuar prej dy të tretave të ligjvënësve të nevojshme për këto procese. Kjo e detyron pushtetin në Maqedoni të bisedojë me opozitën për ta bindur atë që të përfshihet në bërjen e këtyre ndryshimeve por kjo vështirë mund të ndodh, duke pasur parasysh qëndrimet e opozitës ndaj marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të Maqedonisë.
Dhe nëse nuk arrihet një konsensus i brendshëm politik për ndryshimin e emrit përmes kushtetutës, atëherë alternativa e vetme mbeten zgjedhjet e parakohësme, sipas analistëve dhe këtë e ka pohuar edhe vetë kryeministri Zoran Zaev.
Analisti Albert Musliu thotë se asnjëherë në Maqedoni dikush nuk ka mundur të arrijë kaq shumë vota sa këto që ishin pro ndryshimit të emrit, 610 mijë gjithsej dhe kjo, thotë ai, i jep një motiv shtesë pushtetit për vazhdimin e procedurës por dhe për një fitore të thellë në rast të zgedhjeve të parakohëshme në fund të nëntorit.
“Besoj që sipas këtyre numrave, nëse koncentrohen në një vend sigurisht do të ketë edhe më shumë se dy të tretat e vendeve në parlamentin e ardhshëm. Kjo realisht e vendosë në një situatë shumë të pavolitshme opozitën, e cila gjatë gjithë procesit ishte e papërcaktuar. Madje imazhin e fitores për dështimin teknik të referendumit tash duhet ta ndajnë me një grup që u deklarua që në fillim se është për bojkotimin e referendumit”, thotë analisti Musliu.
Zoti Musliu shkaqet e daljes së ulët në votime i shikon në disa rrafshe, si regjistri i papastruar i votuesve, në radhë të parë:
“Në listën zgjedhore është edhe mërgata… Ne e dimë se Maqedonia ka një numër shumë më të vogël banorësh. Edhe Banka Botërore thotë se në dhjetë vitet e kaluara 500 mijë qytetarë të Maqedonisë janë larguar nga këtu; kështu që realisht Maqedonia nuk ka mbi 1.5 – 1.6 milionë banorë, dhe qytetarë aktivë do të jenë shumë më pak se sa janë të regjistruar në regjistrin e votuesve”, thotë ai.
Analisti, ndërkohë nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të përpjekjeve ruse për shtrirjen e ndikimit në Maqedoni.
Albert Musliu, i cili drejton organizatën për Nisma Demokratike vlerëson se Maqedonia mund të përballet me rreziqe, por jo nga tensionet politike.
“Kanosja më serioze mund t’i vijë Maqedonisë nëse dështon procesi i realizimit të marrëveshjes me Greqinë për emrin dhe me këtë nëse dështon edhe perspektiuva euro-atlantike e Maqedonisë”, vlerëson zoti Musliu.
Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar edhe pas mossuksesit të referendumit ka dërguar mesazhe në mbështetje të Maqedonisë dhe pupullit të saj në rrugën drejtë integrimeve euro-atlantike dhe kjo shikohet si shenjë e mirë se vendi i vogël ballkanik nuk do të izolohet. (voa)