LSDM dhe BDI shpallin fitoren në zgjedhjet lokale të së dielës. 35 komuna të Maqedonisë dolën në balotazh. LSDM dhe VMRO-DPMNE garuan në 20 komuna ndërsa partitë shqiptare në 15 komuna.
35 komuna të Maqedonisë dolën në balotazh të dielën. LSDM dhe VMRO-DPMNE garuan në 20 komuna ndërsa partitë shqiptare në 15 komuna. Partitë politike ishin të parat që kanë shpallur rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.
Ahmeti: Kanë fituar të gjithë qytetarët
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti shpalli fitore në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare. Ai ka konfirmuar fitoren e madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, Çair, Dibër, Saraj, Likovë, Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë. “Të gjitha komunat janë të të gjithë qytetarëve, BDI do të ndihmojë edhe në ato komuna ku mund të ketë humbur. Uroj të gjithë fitimtarët, të gjithë qytetarët. Kjo fitore është për të gjithë qytetarët shqiptarë, për gjithë ata të cilët kanë votuar, por edhe ata që nuk kanë votuar për ne, kryetarët e ardhshëm do të jenë kryetarë të të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Ali Ahmet lider i BDI-së.
Sela: Nuk pranojmë rezultatet, na është bërë shantazh
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka folur për një proces zgjedhor të parregullt, me presione të papara direkt nga policia e shtetit. Ajo që ndodhi në raundin e parë, u përsërit në raundin e dytë, ndodhi një falsifikat zgjedhor. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ka garuar në komunën e Strugës, për humbjen e tij ai akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, duke theksuar se ai mbetet fitues absolut në elektoratin shqiptar.
“Nëse kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundër kandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, ka deklaruar Zijadin Sela. Aleanca për Shqiptarët në koalicion me Lëvizjen Besa shpalli fitore në komunën e Gostivarit, Vrapcishtes, Bogovinës dhe Zhelinës.
Bilalli: Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha se koalicioni Aleanca me Besë ka fituar ndaj aparatit shtetëror. ”Manipulimet e bëra e dhanë rezultatin. Sonte u shua një parti shqiptare. Tanimë nuk ka BDI por ka LSDM. Në kampin shqiptar, fitues jemi ne të koalicionit Aleanca me Besa. Koalicioni ishte këtu për të penguar ndërhyrjen e LSDM. Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Bilall Kasami kryetar i Lëvizjes BESA.
Zaev: Zgjedhjet ishin të drejta -rezultati duhet pranuar
Socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ka garuar me kandidatët e saj, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit. Zgjedhjet ishin kristal të pastra, ka thënë lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev.
Ai kërkuar nga VMRO-DPMNE që të njoh rezultatin zgjedhor:
“Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. U bëj thirrje liderëve të VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Zaev.
Gruevski: Nuk pranojmë rezultatet, kërkojmë zgjedhje të parakohshme
Udhëheqësi i VMRO-DPMNE Nikola Gruevski tha se zgjedhjet e sotme ishin mafioze dhe të falsifikuara. Ai kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Për shkak të dhunës së zgjedhjeve, për shkak të përdhunimit të demokracisë dhe shtetit dhe parregullsive të tjera të regjistruara, për shkak të terrorit të egër, presioneve dhe ryshfetit, VMRO-DPMNE-së vendosi që të mos i njohë këto zgjedhje dhe nuk do të merren parasysh si të drejta dhe demokratike”, ka deklaruar Nikolla Gruevski.
Në komunën e Studeniçanit, sipas të dhënave të shtabeve partiake, Azem Sadiku i PDSH-së ka arritur të shënojë fitoren e vetme të kësaj partie.
Janë shënuar disa parregullsi gjatë votimit
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se policia ka arrestuar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje me disa persona të tjerë. “Gjatë procesit zgjedhor është regjistruar prishje e rendit publik në Shuto Orizare. MPB-ja ka dalë menjëherë në terren ku është ndaluar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje jashtë qendrës votuese. Ende nuk dihen arsyet e incidentit”, ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
Vëzhguesit e Asociacionit “Most” kanë vërejtur parregullsi më të theksuara në Komunën e Shuto Orizarës, Butelit, Demir Kapisë, Çairit, Tetovës dhe Gazi Babës.”Most” ka raportuar edhe për votime familjare në disa komuna. Asociacioni “MOST”e vëzhgoi procesin e votimit me mbi 1000 vëzhgues. (dw)