Maqedoni: Kriza qeveritare zbret edhe në pushtetin lokal

Leka i madh

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ende nuk ka vendosur se kur do t’ia dërgojë garancitë e kërkuara presidentit, Gjorge Ivanov, që të mund ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re.

LSDM thotë se teksti tanimë është hartuar me mbështetjen e partive të koalicionit, që kryesisht bazohet në programin qeveritar që garanton respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, ashtu siç ka kërkuar Ivanov, i cili mosdhënien e mandatin e ka arsyetuar me atë që njihet si “Platformë e Tiranës”.

Ndërkohë, edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i kërkoi ditë më parë Presidentit dhënien e mandatit, në të kundërtën paralajmëroi formimin e Qeverisë edhe pa mandat.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se presidenti Ivanov duhet ta respektojë vullnetin e popullit dhe jo të taktizojë për qëllime politike.

Nëse nuk e jep mandatin ai vepron kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të cilët votuan për ndryshime. Ai këtë nuk guxon ta bëjë, pasi është vetëm një individ, ndërsa mbi 700 mijë të tjerë votuan për këtë shumicë e cila duhet të formojë Qeverinë e re. Presidenti nuk guxon më të bëjë shkelje, pasi ai do të përballet jo vetëm me përgjegjësi politike por edhe me përgjegjësi penale”, thotë Temelko Ristevski.

Ai gjithashtu përjashtoi edhe mundësinë e përsëritjes së incidentit në Kuvend më 27 prill.

Unë nuk besoj se do të vjen deri tek përsëritja e skenarit të Kuvend, pasi nga vizita e diplomatit amerikan Hoy Yee, disi janë zbutur qëndrimet. Këtu kanë ndikuar edhe masat që janë ndërmarrë kundër dhunuesve në Kuvend, ndoshta jo ashtu siç duhet, por fakti se janë ndërmarrë veprime, ka përçuar mesazhin deri tek ata por edhe të tjerët që mendojnë të përdorin dhunën, se një ditë do të përgjigjen. Ndryshime do të ketë, ndoshta jo sot, por një ditë gjithsesi se po, prandaj besoj ata e kanë kuptuar mesazhin se me dhunë nuk zgjidhen problemet dhe se çdonjëri prej tyre do të përgjigjet përpara organeve të drejtësisë”, thotë Ristevski.

Nga ana tjetër, Maqedonia tani përballet edhe me krizë të pushtetit lokal. Shumica parlamentare në koordinimin tek kryetari i Kuvendit, ku mungoi VMRO DPMNE-ja nuk ka sjell ndonjë datë për seancën e Kuvendit në të cilët do të vendosej për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave që skadon të hënën në mesnatë.

Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Maqedoninë është arritja e marrëveshjes për miratimin e propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave”, thuhet në komunikatën e kryetarit të Kuvendit, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike.

Ministrja e Pushtetit Lokal, Shiret Elezi ndërkohë përmes një komunikate i ka bërë thirrje partive që sa më parë të miratojnë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Nuk duhet lejuar që kriza politike ta dëmtojë procesin e decentralizimit, pasi demokracia lokale është themel mbi të cilin ndërtohen kapacitetet demokratike të shtetit. Duhet të merret parasysh interesi i qytetarit që është tatimpagues, i cili paguan për shërbimet lokale dhe të njëjtat duhet t’i marrë në kohë dhe me kualitetin më të lartë të mundshëm, si dhe nevojën e realizimit të së drejtës së qytetarëve që të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes”, thuhet në komunikatë.

Kriza në Maqedoni u përshkallëzua në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismës “Për Maqedoni të bashkuar” pushtuan Kuvendin duke lënduar rëndë shumë deputetë të shumicës parlamentare, të cilët paraprakisht zgjodhën Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë. (REL)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>