VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH ranë dakord që zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të zhvillohen më 11 dhjetor të këtij viti dhe që qeveria e re teknike të zgjidhet më 2 shtator.
Pas një takimi që zgjati mbi 6 orë lLiderët e katër partive nënshkruese të marveshjes së Përzhinës VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH ranë dakord që zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Maqedoni të zhvillohen më 11 dhjetor të këtij viti, qeveria e re teknike të zgjidhet më 2 shtator, redaktore e redaksisë së lajmeve në TVM 1 të jetë gazetarja Santa Argirova, ndërsa anëtar i 5 i komisionit që do të monitorojë mediat 100 ditë para zgjedhjeve, të jetë korrespodenti i TVM 2 nga Gostivari, Lulzim Haziri. Pas takimit kryetarërt e katër partive nënshkruan dokumentin e ri që do ta parapërgatisë vendin për zgjedhje.
Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski tha, se qëllimi i partisë maqedonase në pushtet tashmë një vit ka qenë që të ketë zgjedhje për zgjidhje. LSDM krijonte kriza për t’i shtyrë zgjedhjet, zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta dënojnë këtë politikë, u shpreh Gruevski. “Kemi bërë shumë hapa që ta sjellim LSDM-në në një situatë që të mos kërkojë më shtyrjen e zgjedhjeve, ku më të mos mundet t’u shmanget zgjedhjeve, të mund të përballet me popullin dhe t’i mundësojë popullit të dalë në zgjedhje për të thënë fjalën e tij. E di saktë që populli në zgjedhje do ta dënojë LSDM-në për atë që i ka bërë Maqedonisë në këtë një vit e gjysmë të kaluar. Është mirë që LSDM-ja nënshkroi në dokumentin për zgjedhje më 11 dhjetor, megjithëse çdo firmë që hedh LSDM-ja duhet parë me rezervë, pasi nuk dihet si do veprojnë më tej”, nënvizoi Gruevski.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se kjo është një ditë e mirë për Maqedoninë, pasi të gjitha forcat politike parlamentare arritën marrëveshje. “U arrit marrëveshje, me çka u pajtuan që janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, u shpreh Ahmeti.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha, se për PDSH-në zgjedhjet janë të rëndësishme dhe se shpresa dhe garancia kryesore e PDSH-së mbetet tek faktori ndërkombëtar. “Ne do të vazhdojmë të kemi sjellje konstruktive, shpresa kryesore dhe garancia për PDSH-në mbetet faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe institucionet që do të monitorojnë zgjedhjet në Maqedoni”, theksoi Menduh Thaçi.
Lideri i opozitës maqedonase, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev u shpreh, se nga sot regjimi i Gruevskit i përket së shkuarës. “Luftuam që qytetarët e Maqedonisë në 11 dhjetor të mund të votojnë të lirë. Koha për zgjedhje të dhunshme dhe e falsifikimit të vullnetit të qytetarëve ka përfunduar. Më 11 dhjetor do të mundim varfërinë, kriminalitetin, korrupsionin, ndarjet etnike, urrejtjen, partizimin e institucioneve, aferat, proceset e montuara gjyqësore dhe mafian. Paralajmërojmë VMRO-DPMNE-në të mos mendojë sërish të shkelë marrëveshjen e dakorduar duke lënë peng Maqedoninë. LSDM-ja do të përgjigjet ashpër ndaj çdo shkeljeje të Marrëveshjes së Përzhinës, veçanërisht shkatërrimin e Prokurorisë Speciale Publike”, dekalroi lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.
Përkrahja e ndërkombëtarëve nuk mungon
Bashkësia ndërkombëtare është krenare që mundi t’u ndihmojë liderëve të dakordohen që më 11 dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Besojmë se ky do të jetë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike, porositi ambasadori amerikan Jess Baily pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Do të bëjmë gjithçka që mundemi në javët dhe në muajt e ardhshëm që të sigurohemi se do të ketë zgjedhje të besueshme, që do t’i plotësojnë kushtet dhe të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve të votojnë pa frikë e lirshëm. Ajo që është më me rëndësi është se çka do të bëjnë partitë, mediat, qytetarët. Këto janë ato vendime të cilat në fund do ta sjellin vendin në zgjedhje kredibile dhe do të mundësojnë që shteti të shkojë para në reforma, të cilat do të çojnë në integrime euroatlantike. Kjo do të jetë pika kritike që do të ndodhë. Mediat do të kenë rol të rëndësishëm”, ka theksuar ambasadori amerikan Bayli.
Lukash Melka nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha, se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor tregon se ka vullnet politik që vendi të shkojë përpara.
“Tani mbetet që partitë të sigurohen se qytetarët do të kenë zgjedhje të lirë, të besushme dhe se deklarimet për parregullsi zgjedhore gjatë procesit zgjedhor do të trajtohen në mënyrë përkatëse nga institutet relevante dhe nga vetë partitë”, vuri në dukje Melka.
Marrëveshjen e arritur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e lartë evropianë, Komisioneri Johannes Hahn dhe Federica Mogherini, të cilët kanë kërkuar nga katër liderët politikë që të respektojnë marrëveshjen e arritur.
Të premten zgjidhet qeveria teknike
Në qeverinë kalimtare do të marrë pjesë opozita maqedonase, ku do të emërojë pozitat në sektorët e punëve të brendshme dhe për polikat e punës dhe sociale, si dhe zëvendësministrave plotësues për financa, shoqëri informacioni dhe administratë e bujqësi. Qeveria e re pritet të miratohet në Parlament të premten. Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë teknike duke mos ndryshuar kuadrot e ministrave dhe zv/ministrave. Jashtë qeverisë teknike edhe kësaj radhe do të mbetet PDSH-ja e cila nuk ka pranuar të hyjë në qeverinë teknike me vetëm dy ministra duke ua lënë përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve, tri partive të tjera. (dw)